Kombëtarja e Basketbollit të Meshkujve ka arritur një fitore të shkëlqyer në Austri ndaj vendasve, një rezultat që ka ngjallur shumë entuziazëm.
Në lidhje me këtë sukses, Klaudio Ndoja, drejtori teknik i Kombëtareve të Basketbollit, theksoi rëndësinë e punës së federatës së basketbollit dhe procesit të zbulimit të talenteve të reja. Ai solli një rast të veçantë kur një basketbollist me origjinë nga Tropoja kishte pranuar të luante për Kombëtaren e Turqisë.
“Ne kërkojmë talente, por një lojtar nga Bajram Curri u mor nga Kombëtarja turke. Djali ka mbiemrin Osmani dhe ndryshoi edhe emrin e tij për të marrë pasaportën turke”, tha Ndoja në një intervistë për MAX Sport në Euronews Albania.
Në këtë kontekst, ndërhyri presidenti i federatës, Avni Ponari, i cili shpjegoi se si Kombëtarja turke e mori këtë talent nga Tropoja.
“Pasi iku në Turqi dhe u stërvit dy ose tre vjet, ai arriti të bëhej pjesë e Kombëtares turke. Mendoj se ky lojtar mund të bëhet edhe pjesë e NBA-së, sepse është shumë i mirë. Ne marrim talente deri në moshën 20 vjeçare, pasi kemi shumë talente, por pas kësaj moshe shpesh herë ata humbasin”, përfundoi Ponari.
Kombëtarja shqiptare vazhdon të investojë në zhvillimin e talenteve të reja, me shpresën se shumë prej tyre do të kenë një të ardhme të suksesshme, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.