Në KQZ është regjistruar koalicioni i parë për zgjedhjet e 11 majit, mes partisë “Djathtas 1912” të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe Lëvizjës për Zhvillim Kombëtar të Dashamir Shehit.
Në tekstin e marrëveshjes që është dorëzuar edhe në KQZ thuhet ndër të tjera se Shqipëria është në një fazë kritike të zhvillimit të saj dhe pushteti publik ka defiçit të legjitimitetit demokratik.
“Shqipëria ka nevojë për një demokraci funksionale, ku pushtetet të jenë realisht të ndara dhe të balancuara, ndaj ndryshimi i modelit politik, përtej rotacionit qeverisës, është një domosdoshmëri”, thuhet ne marreveshje.
Marrëveshja mes Djathtas 1912 dhe LZHK
Sot më datë 03.03.2025, Ne, një grup partish politike, duke besuar:
Se Shqipëria është në një fazë kritike të zhvillimit të saj dhe pushteti publik ka defiçit të legjitimitetit demokratik, dhe se në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025 qytetarët duhet të përfaqësohen realisht dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet;
Se Shqipëria ka nevojë për një demokraci funksionale, ku pushtetet të jenë realisht të ndara dhe të balancuara, ndaj ndryshimi i modelit politik, përtej rotacionit qeverisës, është një domosdoshmëri;
Se sistemi zgjedhor është i pabarabartë mes partive politike. Ai rrezikon të deformojë vullnetin e zgjedhësve dhe të prishë garën e hapur, duke krijuar rezultat të pandershëm në favor të partive të vjetra që kanë dominuar skenën politike prej dekadash dhe që janë bashkëautore të këtij sistemi zgjedhor;
Në rëndësinë historike që ka votimi për herë të parë i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë shtetit dhe duke ndarë bindjen se diaspora duhet të përfaqësohet realisht në Parlament;
Se proçesi i integrimit evropian ka nevojë për një pakt efektiv me qytetarët shqiptarë dhe ndryshim të mendësisë politike, duke forcuar dialogun politik me njerëzit dhe për njerëzit;
Se vlerat themelore të secilës parti janë më të rëndësishme se sa ide të veçanta programore që na ndajnë dhe se koalicioni bazohet në respektin e ndërsjelltë për identitetin social, politik dhe programor të anëtarëve të tij;
VENDOSËM:
- Të formojmë një Koalicion elektoral dhe për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025.
- Emri i koalicionit është: “Djathtas për Zhvillim”
- Shkronjat nistore të Koalicionit do të jenë: “DZh”.
- Partitë përbërëse të koalicionit janë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Djathtas 1912.
- Sigla e koalicionit është sipas modelit bashkëlidhur kësaj marrëveshje.