Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Kretë. Kreu i qeverisë është mbledhur me shqiptarët në zonën e Hanias, teksa nuk ka munguar edhe drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla. Rama u bëri thirrje shqiptarëve që më 11 maj të votojnë për të marrë pasaportën e BE.
"T'ua themi qartë edhe qeverisë këtu në Greqi se shqiptarët bashkë duan të jenë pjesë dinjitoze e BE! Rroftë Shqipëria rroftë Greqia!" tha Rama.
Përpara emigrantëve shqiptarë në Kretë të Greqisë, Kryeministri Edi Rama premtoi se vitin e ardhshëm në këtë ishull do të hapet konsullata shqiptare.
Në takimin me ta, Rama tha se në momentin që konsullata shqiptare do të hapet në Kretë, emigrantët aty nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në ambasadën në Athinë për shërbime konsullore.
“Si sot 1 vit, këtu do të ketë hapur dyert konsullata e Shqipërisë. Ju nuk do keni nevojë të shkoni në Athinë, njësoj siç vlonjatët apo shkodranët e kanë tmerr shko në Tiranë, unë e di që dhe ju e keni tmerr kur ju thoni shkoni në Athinë. Kështu që ne do t’ja u sjellim shtetin shqiptar këtu në Kretë”.
Rama theksoi rëndësinë e votës më 11 maj për PS, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare e BE. Sipas kryeministrit, do të bëhet e mundur pajisja e pashaportës europiane, duke shtuar përpjekjet e mëtejshme.
“Sot 246 mijë shqiptarë të Evropës, se mua nuk më pëlqen fjala diasporë, por shqiptarët e Evropës dhe botës janë regjistruar për zgjedhjet e 11 majit. Le të bëhemi bashkë në 11 maj dhe të bëjmë të mundur që Shqipëria të jetë anëtare e BE.
"Në Kretë kanë lindur njerëz që i kanë dhënë shumë jo vetëm Greqisë por dhe Europës. Do bëjmë të mundur që Shqipëria e kësaj dekade të jetë anëtare e BE dhe çdo shqiptar në Shqipëri, Greqi, dhe kudo ndodhet, të marrë pashaportën europiane të shqiptarit. Për mua ka qenë një barrë e rëndë që sa herë më binte të takohesha me shqiptarë që jetojnë në Greqi, duhet t’u përgjigjesha pyetjes: Kur do na jepet mundësia të votojmë si shqiptarë në Shqipëri pa qenë e nevojshme të marrim rrugët?Për këtë pjesë ka qenë një përpjekje jo e vogël, sepse përveç nesh nuk e donte kush votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Ju ia dini punës dhe sakrificave të punës më shumë sesa çdokush tjetër”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama më tej ka bërë një thirrje për emigrantët shqiptarë, duke i ftuar ata të shfrytëzojnë mundësitë e investimeve në fshat nëpërmjet Paketës së Maleve.
Rama theksoi se ata që përfshihen në 500 aplikantët e parë do të kenë mundësinë të investojnë pa asnjë detyrim tatimor për 10 vite.
Kreu i qeverisë u shpreh se emigrantët që zotërojnë tokë në fshat, madje edhe pa dokumentin e pronësisë, mund të marrin një vërtetim nga këshilli bashkiak dhe të marrin lejen për të investuar në pronën e tyre, duke e kthyer atë në agroturizëm ose për projekte të tjera bujqësore dhe agropërpunuese.