Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një postim për samitin që do të mbahet sot për Ukrainën. Kreu i qeverisë shkruan se ndihet krenar për Shqipërinë që pret sot samitin dhe liderin ukrainas.
“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për Shqipërinë, që sot mikpret në Samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, Presidentin Volodymyr Zelenskyy, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive tona kundër agresionit rus, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Kujtojmë që Rama do të mirëpresë Zelenskyn në kryeministri në orën 09:00 për të zhvilluar më pas një takim kokë më kokë. Ata do mbajnë gjithashtu fjalën hapëse në nisje të samitit dhe më pas edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.