Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur sot krah ish-presidentëve, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.
Berisha ndoqi nga afër fronëzimin e parë të një kryepeshkopi shqiptar, ndërsa në këtë ngjarje historike për Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare mungoi kryeministri Edi Rama. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të shtetit dhe politikës shqiptare, përfshirë Presidentin Bajram Begaj, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Kryeparlamentaren Elisa Spiropali, zv.kryeministren Belinda Balluku, ministrat Pirro Vengu dhe Blendi Gonxhja, dhe ish-kryeministri Pandeli Majko.
Pjesëmarrës ishin gjithashtu krerët fetarë shqiptarë, përfshirë Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve Baba Mondi, kreun e KMSH-së Bujar Spahiu, dhe Kryetarin e Këshillit Ndërfetar, Dom Gjergj Meta. Nga Greqia, ceremoninë e ndoqën Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, dhe Ministrja e Edukimit dhe Fesë, si përfaqësues të shtetit grek.
Veç mungesës së Ramës, një detaj i veçantë ishte mungesa e Kryeministrit grek Mitsotakis në këtë ngjarje, pas protagonizmit të tij në ceremoninë e lamtumirës së ish-kryepeshkopit të ndjerë, Anastas.