Politikë

Avokati i Ilir Metës kundërshton akuzat: Hetim politik dhe i pabazuar në prova

Shkruar nga Liberale.al

Avokati i Ilir Metës kundërshton akuzat: Hetim politik dhe i pabazuar

Pas përfundimit të hetimeve ndaj Ilir Metës, avokati i tij Kujtim Cakrani ka reaguar publikisht duke i cilësuar akuzat si të pabazuara dhe me prapavijë politike. Në një deklaratë për mediat, Cakrani tha se ndaj Metës janë ngritur tre akuza kryesore: korrupsion pasiv i funksionarëve të zgjedhur, pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave.

Sipas tij, asnjë prej këtyre akuzave nuk qëndron dhe janë hedhur poshtë që në fazat e para të hetimit. “Këto akuza janë komentuar dhe shpjeguar gjatë pyetjeve që zoti Meta ka dhënë përpara prokurorisë,” tha avokati, duke shtuar se mbyllja e hetimeve përkoi me një moment politik të ndjeshëm, pikërisht kur në vend po diskutohet për çështjet e zgjedhjeve dhe manipulimeve të mundshme.

Avokati Cakrani la të kuptohet se ky proces po përdoret për të larguar vëmendjen nga këto zhvillime politike. Ai theksoi gjithashtu se shumë ish-anëtarë të LSI-së, që sipas tij kanë pasur rol në çështje të ngjashme, nuk janë ndjekur penalisht dhe madje mbajnë poste publike, ndërkohë që Meta po përballet me drejtësinë.

“Ne do të përdorim të gjitha të drejtat tona ligjore. Do të shqyrtojmë me kujdes aktet dhe nëse konstatohen mangësi, do të kërkojmë hetime shtesë dhe thirrje dëshmitarësh,” përfundoi ai.

Procesi tani pritet të hyjë në një fazë të re, ku mbrojtja do të paraqesë kundërshtimet dhe kërkesat e saj përballë organit të akuzës, ndërsa çështja mbetet në vëmendje të lartë publike dhe politike.

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH