Deputeti britanik, Nigel Farage, nuk është përmbajtur në lidhje me emigrantët shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai i është drejtuar me disa shifra kryeministrit Edi Rama, teksa komentoi intervistën e këtij të fundit për “The Guardian”. Farage i ka kërkuar Ramës të marrë mbrapsht të gjithë shqiptarët e dënuar për vepra penale të ndryshme në territoret britanike. Sipas shifrave të tij, “një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg”.
“Kryeministri shqiptar na kritikon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, duke kërkuar vende për të braktisur emigrantët’. Rama pretendoi se shumë nga ato që themi pas Brexit-it janë bërë ‘krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake’. Po ju them diçka, z. Rama, a e dinit se një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg? Pra, tregoni pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë nesër, sepse kjo është hipokrizi”– tha ai.