Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, në një deklaratë për mediat, akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrim dhe dështim të përsëritur gjatë 12 viteve në pushtet.
Garo e cilësoi ofertën e Ramës për pensionin minimal 200 euro dhe rrogën minimale 500 euro si një kopjim të vonuar të propozimeve të Sali Berishës, duke theksuar se ai nuk ka mbajtur premtime të ngjashme në të shkuarën.
Ajo theksoi gjithashtu se rënia e euros në treg nuk ka ardhur nga forcimi i lekut, por nga futja e narko-euros në ekonomi, e cila ka dërrmuar eksportet dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Garo kritikoi Ramën edhe për mungesën në ceremoninë e fronëzimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanit, duke e akuzuar se në vend të kësaj, ai zgjodhi të publikonte programin e PS.
Pas 12 vitesh në pushtet, suksesi i të cilëve ishte shpopullimi masiv, me mbi 1 milion shqiptarë të larguar, kryeministri në ikje nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti veten në vitet 2013, 2015, 2017, 2019 dhe 2021.
Ofroi të njëjtën përrallë të pesë herëve të tjera.
Ai nuk bëri gjë tjetër veçse kopjoi kundërshtarin politik, Sali Berishën, duke ofruar 4 muaj pas tij, pensionin minimal 200 euro dhe rrogën minimale 500 euro.
Ai nuk bëri gjë tjetër pra, veçse gënjeu për të pestën herë dhe kopjoi për të disatën herë.
Pensionistët duhet të pyesin kryeministrin në ikje: pse nuk e bëre pensionin minimal 200 euro për 12 vjet?!
Të keqpaguarit e Shqipërisë duhet ta pyesin Kryeministrin në ikje: pse nuk e bëre rrogën minimale 500 euro në 12 vjet?!
Shifrat që paraqiti sot Edi Rama janë të gënjeshtërta edhe për një arsye tjetër.
Në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike euro këmbehej me 140 lekë, sot është 98 lekë.
Rënia e monedhës së BE nuk ka të bëjë me forcimin e lekut, por me futjen e narko-euros në ekonomi. Kjo ka dërrmuar eksportet dhe xhepat e shqiptarëve, sepse shumica e tyre, në mos paguhen, blejnë në euro.
Sot kryeministri në ikje shpalosi programin e megamashtrimeve, i futur në një fluskë elektronike.
Kush e pa sot, dhe kush voton më 11 maj, duhet të pyesë veten: nëse kryeministri në ikje ka bërë çfarë thotë, dhe do të bëjë çfarë gënjen, si ka mundësi që shqiptarët ikën dhe po ikin?
Çfarë i shpjegon 1 milion të ç’atdhesuar?!
Edi Rama mungoi sot në ceremoninë e fronëzimit të Fortlumturisë së tij Joanit, kryepeshkopit shqiptar të Kishës Ortodokse Autoqefale, dhe kur prelati ortodoks po kurorëzohej, ai hodhi në media programin e PS.
Televizionet e qeverisë, me urdhër të tij, ua hoqën fishën qindra mijëra ortodoksëve shqiptarë, por edhe vëllezërve të tyre nga fe të tjera, që të mund të dëshmonin këtë moment historik në jetën e kombit.
Në përcjelljen e Hirësisë së Tij, Janullatos, ai ishte, por me sa duket jo për të ndjerin, po për fotot me kryeministrin grek Micotaqis.
Ky është Edi Rama. Me 11 maj, refuzojeni!