Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Korydallos, Greqi. Një i burgosur shqiptar ka marrë peng dy roje, duke i kërcënuar me thikë, dhe ka tentuar të vrasë një tjetër të burgosur shqiptar.
Sipas mediave greke, i burgosuri arriti të u merrte rojeve çelësat, telefonat dhe radiot, duke i mbyllur ata në një dhomë. Më pas ai eci për rreth 150 metra brenda burgut, duke hapur disa porta, për të shkuar drejt repartit ku ndodhej shënjestra e tij – një tjetër shqiptar i dënuar për trafik droge.
Fatmirësisht, tentativa për vrasje dështoi, pasi personi që kërkohej nuk ndodhej në vendin ku pritej të ishte. Autoritetet ndërhynë në kohë dhe ndaluan ngjarjen pa pasoja të mëtejshme.
Autori i këtij incidenti është i njohur për policinë greke si pjesë e mafies shqiptare dhe po vuan dënimin për tentativë vrasje. Emrat e të përfshirëve nuk janë bërë publikë për arsye sigurie. Hetimet kanë nisur për të zbuluar nëse kjo ishte një vrasje e porositur nga jashtë burgut.