Politikë

Berisha kërkon qeveri teknike: Ndërkombëtarët i rrëzuan zgjedhjet e 11 majit 10 ditë para

Shkruar nga Liberale

Berisha kërkon qeveri teknike: Ndërkombëtarët i rrëzuan

Paralajmërimi i PD-së për të mos hyrë në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, Berisha shpjegon se kur dhe kush do të marrë vendimin   

Teksa i ka konsideruar zgjedhjet si një farsë elektorale, kreu demokrat Sali Berisha deklaroi sot se do të vendosin forumet e PD-së nëse do të hyjnë apo jo në parlament.

Në konferencë për shtyp lideri demokrat u shpreh se edhe nëse marrin pjesë në parlament, do të votojnë vetëm ligjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Të gjitha do vendosen nga forumet. Por unë, në presupozimin e pjesëmarrjes në parlament, deklarova që ne do votojmë vetëm ato ligje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Ky ka qenë. Unë nuk thashë a do marrim apo nuk do marrim. Unë thashë se në qoftë se do marrim, por unë thashë se në rast se marrim, ne do votojmë vetëm këto. Se atë nuk e vendos unë, atë e vendosin forumet. Do ketë diskutime. Por këto janë farsë elektorale, e damkosur ndërkombëtarisht si e tillë para se të zhvillohet. E faktuar totalisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë në raportin e tyre paraprak. Pra, ky është realiteti sot”.

Berisha ripërsëriti edhe njëherë kërkesën e tij për qeveri teknike me një agjendë të qartë, që do të përqendrohet në zgjidhjen e çështjeve të integrimit dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Normalisht vetëm zgjedhje të parakohshme. Pa diskutim. Qeveri teknike, me një agjendë të përcaktuar, problemet që zgjidhen direkt me integrimin dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është kërkesa jonë, për të cilën do luftojmë me të gjithë mbështetësit tanë dhe miqtë tanë në Europë dhe në botë”, theksoi Berisha. 

Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar dhe manipulim të procesit zgjedhor.

“Komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë i dënoi me dënim kapital me datën 30 prill 2025, zgjedhjet që do zhvilloheshin 10 ditë më vonë në Shqipëri. Cilido që lexon rezolutën e Valencias, të censuruar në mënyrën më totale, pothuaj, nga mediat e qeverisë për shqiptarët, konstaton se ajo rezolutë i thotë opinionit publik ndërkombëtar dhe shqiptarëve se në Shqipëri nuk do ketë zgjedhje por farsë elektorale. Kjo është e vërteta absolute”.

Berisha deklaroi se rezolutat ndërkombëtare flasin qartë për blerje votash me para dhe kanabis, përfshirë dhënien e pensioneve dhe licencave, dhe se prokuroria dhe politika mbështesin këtë sistem kriminal.

“Komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk udhëhiqet nga paragjykimi. Ose thotë, kur nuk ka siguri, thotë ka dyshime. Por këtu nuk thotë se ka dyshime, ka deklaruar se Edi Rama po blen vota me lekë. Se ka parë vendimin për dhënien e 100 eurove për pensionistët. Ka deklaruar se po blen vota me kanabis sepse ka parë vendimin e dhënies së 138 licencave. Nuk ka deklaruar se do falë gjoba, se ky vendim ishte i dy ditëve të fundit. Pra, kemi të bëjmë një vdekje të paralajmëruar të procesit zgjedhor dhe zhvillimin e paralajmëruar të një farse të plotë zgjedhore siç zhvillohet në të gjitha regjimet narkodiktatoriale”, theksoi Berisha, përcjell A2 CNN.

Duke folur me emra, Berisha tha se në parlament kanë hyrë 28 deputetë të lidhur me botën e krimit, vetëm katër prej të cilëve kanë marrë mbi 80 mijë vota.

“Vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara. Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur. Avokatëve të farsës elektorale të narkoqeverisë u them se duke mbrojtur farsën, kryeni një krim të shëmtuar kundër lirive më themelore të qytetarëve shqiptarë. Dhe dëshmoheni më mercenarë se çdo lloj mercenari tjetër. Shtroj edhe njëherë pyetjen, të kujt janë 80 mijë vota të deputetëve të partisë së krimit? Të kujt janë? Një lidhje e plotë dhe totale me pushtetin”.

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH