Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish politikanit britanik Nigel Farage, i cili së fundmi deklaroi se “1 në 50 shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe janë në burg”.
Përmes një tjetër mesazhi publik, Rama e sfidoi Farage për një përballje me shifra reale, duke e akuzuar se po përdor të dhëna të rreme për të ushqyer një retorikë politike pas Brexit-it.
“I dashur Nigel Farage, gjyshja ime katolike më kujtonte shpesh një proverbi latin: Errare humanum est, sed perseverare diabolicum, të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”, shkroi Rama në një mesazh në anglisht drejtuar Farage.
Kreu i qeverisë shqiptare thekson se shifra e përdorur nga Farage është qesharake dhe e deformuar.
Sipas tij, edhe vetë The Telegraph, gazeta britanike që për herë të parë publikoi këtë raport, e ka korrigjuar duke pranuar se popullsia shqiptare në Britani është shumë më e madhe se 53 mijë vetë, siç pretendon Farage, dhe mund të arrijë deri në 140 mijë. Kjo do të thotë se në realitet më pak se 1 në 100 shqiptarë mund të jenë në burgje britanike.
Rama shton se një pjesë e madhe e të burgosurve janë të dënuar për çështje që lidhen me sistemin e vjetëruar të emigracionit dhe vizave, dhe jo domosdoshmërisht për krime të rënda.
“Shqiptarët në Britani nuk janë thjesht një statistikë që mund të përdoret si pretekst për teatër politik pas Brexit-it. Ata janë studentë, akademikë, punëtorë, sipërmarrës. Nëse një në një mijë bie në kundërshtim me ligjin, kjo nuk i bën dot të gjithë fajtorë”, shkroi Rama.
Kryeministri ftoi Farage të vizitojë Tiranën për të parë nga afër të dhënat reale: “Të pres si mysafir nderi, për të ndarë diellin, mikpritjen dhe faktet e vërteta”, thekson Rama