Kronikë

Kush është Klodian Lekocaj, shqiptari që tronditi burgjet greke?

Shkruar nga Liberale.al

Kush është Klodian Lekocaj, shqiptari që tronditi burgjet greke?

Një kontroll i befasishëm është kryer nga policia greke mbrëmjen e kaluar në krahun e 5-të të burgut të sigurisë së lartë në Korydallos. Gjatë këtij operacioni janë zbuluar sende të ndaluara si dy telefona celularë, dy thika të improvizuara dhe një sasi e vogël kokaine (0.4 gramë).

Policia arrestoi dy të burgosur për shkelje të ligjit për armët dhe drogën, ndërsa dy të tjerë janë përfshirë në dosjen e çështjes. Të katërtit janë dërguar në prokurori.

Mes të burgosurve që iu kontrollua qelia ishte edhe Klod Cara, i njohur edhe si Klodian Lekocaj, 48 vjeç. Ai është një emër i njohur për autoritetet greke, pasi prej vitesh dyshohet për përfshirje në aktivitetet më të rënda kriminale si urdhërime vrasjesh, rrëmbime dhe trafikun e drogës.

Vetëm dhjetë ditë më parë, Lekocaj u akuzua për rrëmbimin e disa gardianëve të burgut me qëllim që të shkonte në një tjetër sektor, ndoshta për të kryer një vrasje me pagesë. Në mediat greke ai përmendet si "koka" e të ashtuquajturës "Mafia e Burgjeve".

Në të kaluarën, Lekocaj ka qenë i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në Greqi, ku përmenden vrasje me pagesë, atentate, plagosje dhe arratisje spektakolare nga burgjet. Ai ka qenë i lidhur me persona të tjerë me precedentë të rëndë penalë, përfshirë shqiptarë dhe shtetas të tjerë të huaj.

Disa nga ngjarjet ku emri i tij ka dalë në skenë janë vrasja e një avokati grek, plagosja e klientëve në një lokal në Mikrolimano, tentativë për grabitje me armë dhe vrasje në zonën e Metaksurgios. Ai është arrestuar për herë të fundit në nëntor 2014.

Në vitet e fundit, policia greke e ka përfshirë emrin e tij edhe në disa dosje të tjera të rënda, përfshirë atentate të porositura ndaj shqiptarëve dhe gjobvënie ndaj biznesmenëve grekë.

Pavarësisht pretendimeve të tij në media se është “i pafajshëm” dhe “i përdorur”, provat dhe përgjimet e mbledhura nga autoritetet flasin për një figurë me ndikim të madh në botën e krimit, brenda dhe jashtë burgjeve.

Liberale Newsroom

A duhet ta ftojë PS-ja PD-në në një bashkëpunim më të hapur në qeverisje, për të arritur objektivin e përbashkët të anëtarësimit në BE?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH