Një ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Salernos në Itali, ku një 25-vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri nga pronari i një shtëpie atje.
Mediet italiane raportojnë se ngjarja ndodhi të dielën, kur shtetasi shqiptar së bashku me dy persona të tjerë hynë për të vjedhur në shtëpinë e një 60-vjeçari. Ky i fundit, me profesion ndërtues, qëlloi me armë ndaj tyre, ku si pasojë 25-vjeçari mbeti i vrarë.
Dyshohet se pronari i banesës e kishte fshehur trupin e shqiptarit në një zonë me bimësi të dendur. Prej më shumë se 2 ditësh kryheshin kërkime për gjetjen e trupit, deri sa autoritetet italiane mundën ta gjenin.
Tashmë 60-vjeçari përballet me akuzën e vrasjes dhe fshehjes së trupit të viktmës.
Ka qenë vetë i dyshuari që tregoi vendndodhjen e kufomës, në prani edhe të avokatit të tij. Ai pranoi se kishte qëlluar me armë zjarri gjatë ngjarjes.
Bashkëpunëtori i dytë në vjedhje mbeti gjithashtu i plagosur rëndë gjatë tentativës së dështuar të grabitjes dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërsa një bashkëpunëtor i tretë është shpallur në kërkim policor.
Gjatë tentativës së vjedhjes u vodh edhe një armë zjarri në shtëpinë e 60-vjeçarit, që dyshohet se është përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit mes pronarit të banesës dhe hajdutëve.