Një 41-vjeçar i dënuar për disa krime të rënda është arrestuar nga forcat e Policisë së Shtetit në zonën turistike të Qeparos, në Himarë.
Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se shtetasi Ervis Çela, 41 vjeç, banues në Peqin, u kap nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasit Ervis Çela, 41 vjeç, banues në Peqin, pasi Gjykata e Elbasanit ka njohur dënimin e Gjykatës së Italisë dhe e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 11 muaj dhe 16 ditë burgim, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, mbetur në tentativë, “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.