Një 44-vjeçar nga Shkodra është arrestuar në Durrës, pasi kërcënoi dy persona me sëpatë në një lokal, pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar, ku policia ndërhyri menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe arrestuar në flagrancë shtetasin E. Dh., 44 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari u kap teksa kanoste me sëpatë shtetasit E. A. dhe E. S., banues në Durrës. Fatmirësisht, ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë shmangu pasojat e mundshme për jetën e personave të përfshirë.
Po ashtu, është proceduar penalisht edhe shtetasi B. K., pasi kishte dijeni për konfliktin dhe nuk njoftoi autoritetet.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme procedurale.