Kryeministri Edi Rama në një komunikim të zhvilluar ‘online’ me qytetarët në Facebook foli për situatën e zjarreve në vend, duke i cilësuar si më të vështira.
Kreu i qeverisë premtoi se 40 familje që kanë humbur plotësisht shtëpitë e tyre nga zjarret, si dhe banorët që kanë humbur bagëtitë, do të kompensohen nga shteti.
“207 shtëpi të prekura nga zjarri rezultojnë deri më tani. Në këtë numër hyjnë 40 familje që e kanë humbur shtëpinë plotësisht. I siguroj të gjithë se në po bëjmë sipas protokollit të situatës dhe me autoritetet inventarizimin e plotë të dëmeve dhe askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë dhe sikundër për të marrë dëmshpërblimet përkatëse, edhe për krerët e humbur do kompensohen një për një”, tha Rama.