Një operacion i madh ndërkombëtar ka goditur tre grupe të mëdha kriminale që vepronin mes Shqipërisë dhe Italisë. Pas viteve të tëra hetimesh dhe përgjimesh, autoritetet italiane dhe shqiptare, me ndihmën e Eurojust-it, kanë arrestuar 52 persona të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Operacioni “Ura” nisi hetimet që në vitin 2016 dhe u intensifikua në 2020. Organizatat kriminale kishin lidhje të forta mes tyre dhe ishin të përfshira në trafik ndërkombëtar droge, kryesisht kokainë, heroinë dhe kanabis, të transportuar nga Amerika e Jugut dhe Turqia, drejt Ballkanit dhe Evropës.
Sipas njoftimit zyrtar të Eurojust-it, gjatë ditës së aksionit u sekuestruan pasuri me vlerë miliona euro, përfshirë apartamente, kompani, makina luksoze, para cash dhe sasi të mëdha droge. Vlerësimet tregojnë se këto rrjete kriminale kanë trafikuar rreth 1800 kg kokainë dhe heroinë dhe kanë përfituar rreth 5 milionë euro.
Nga Shqipëria, grupi i strukturuar kriminal që vepronte nga Durrësi kishte rolin kryesor në transportin dhe shpërndarjen me shumicë të drogës. Dy grupet e tjera, të drejtuara nga Italia, ishin përgjegjëse për përpunimin, paketimin dhe shpërndarjen e mëtejshme.
Operacioni u realizua nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë mes SPAK, Policisë Shqiptare dhe Antimafias së Barit, me mbështetje të madhe nga Eurojust dhe zyra e sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë. Hetimet kanë përfshirë përgjime të gjata, ndjekje me video dhe dekriptim të bisedave të koduara.