Zyra e Azilit dhe Emigracionit në Itali ka shprehur trishtim për vdekjen e Hamid Badoui, një emigrant 42-vjeçar nga Maroku, i cili kreu vetëvrasje në burgun e Torinos. Ai kishte mbi 10 vite që jetonte në Itali dhe i kishte thënë avokatit të tij: “Burgu është më i mirë se qendra në Gjadër, nuk dua të kthehem në Shqipëri.”
Kjo ngjarje ka ngritur edhe një herë shqetësime për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, ku parashikohet që disa emigrantë të dërgohen në qendra të posaçme në Shqipëri për t’u mbajtur aty gjatë shqyrtimit të kërkesave për azil.
Sipas shumë organizatave dhe mediave italiane, ky model është i padrejtë dhe i rrezikshëm. Ata thonë se emigrantët mbahen në vende të izoluara, me kushte shumë të këqija, pa ndihmë të mjaftueshme shëndetësore dhe pa të drejta të plota ligjore. Këto kushte po i çojnë shumë njerëz drejt dëshpërimit, vetëdëmtimit dhe në disa raste, vetëvrasjes.