Një efektiv i Policisë Rrugore në qytetin Pesaro të Italisë është kapur në flagrancë nga kolegët e tij, teksa po blinte kokainë nga dy shpërndarës shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur në zonën bregdetare midis Arzillës dhe Lidos.
Karabinierët ishin në ndjekje të dy shqiptarëve të dyshuar për shpërndarje droge, kur rastësisht panë edhe policin që po blinte një sasi prej 2-3 gramësh kokainë. Pas verifikimeve, rezultoi se ai nuk ishte në një operacion sekret, por një përdorues i zakonshëm droge.
Policit iu mor arma e shërbimit dhe është vënë nën hetim administrativ. Ndaj tij ka nisur edhe një procedurë disiplinore dhe po hetohet nëse ka lidhje më të thella me rrjetin e shpërndarjes.
Ndërkohë, dy shqiptarët e arrestuar, të moshave 20 dhe 23 vjeç, pranuan fajin dhe, me ndihmën e avokatit, morën një dënim me gjykim të përshpejtuar: 1 vit e 2 muaj burg, i cili u kthye në dënim me kusht. Kjo bëri që ata të liroheshin menjëherë.