Të tjera detaje tronditëse janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 24-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Romë, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri. Autori i dyshuar, ish-i dashuri i saj, Mark Samson, është arrestuar dhe akuzohet për vrasje me paramendim.
Sipas mediave italiane, hetuesit kanë zbuluar një mesazh të shkëmbyer nga Samson me miq të tij, përpara krimit: “Ose të kthehet tek unë, ose do ta vras.” Ky mesazh është konsideruar si provë e qartë e qëllimit të tij kriminal dhe e planifikimit të vrasjes.
Trupi i pajetë i Ilaria Sulës u gjet i fshehur në një valixhe dhe më pas i braktisur në një përrua në zonën e Via Homs, në periferi të Romës. Ajo ishte goditur me thikë, ndërsa autori kishte tentuar të zhdukte gjurmët e krimit.
Prokuroria e Romës e akuzon Mark Samson për vrasje të rënduar nga paramendimi. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se pas vrasjes, ai përpiqej të devijonte hetimin duke u shtirur si Ilaria në biseda me shoqet e saj, në përpjekje për të krijuar idenë se ajo ishte ende gjallë. Në një nga mesazhet, ai shkruante:
“Sofi, nuk e di nëse do të bëj ndonjë budallallëk, por do të shkoj në shtëpinë e një djali që takova në rrugë,” duke u përpjekur të shtirej si viktima.
Ndërkohë, edhe nëna e autorit është marrë në hetim nga prokuroria, nën dyshimet për ndihmë në fshehjen e trupit të pajetë.