Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e Arben Meskutit, i njohur si “bosi i mikrokredive”, për ndryshim të masës së sigurisë dhe heqje të sekuestrimeve mbi llogaritë bankare.
Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Bani, i cili hodhi poshtë pretendimet e Meskutit duke i cilësuar të pabazuara në prova dhe në ligj.
Meskuti, i cili është një nga nëntë të hetuarit në skandalin e mikrokredive dhe zhvatjes së qindra qytetarëve, kishte kërkuar të lirohej nga masa “arrest në burg” dhe të zëvendësohej me një masë më të lehtë, si arrest shtëpie apo garanci pasurore.
Ai e mbështeti kërkesën e tij në faktin se ka kaluar një kohë e gjatë në paraburgim dhe afati ligjor për qëndrimin në qeli, sipas tij, ka humbur fuqinë. Po ashtu, Meskuti kundërshtoi sekuestrimin e llogarive bankare personale, duke pretenduar se këto fonde janë të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve familjare dhe për kujdesin ndaj fëmijëve të tij të mitur.
Pas shqyrtimit të kërkesave, gjykata refuzoi të gjitha pretendimet, duke lënë në fuqi masën e sigurisë dhe sekuestrimin mbi pasuritë.