Mediat italiane kanë publikuar pamje nga një operacion i rëndësishëm ku u sekuestruan pasuritë e vëllezërve Suel dhe Mario Çela. Sipas hetimeve, ata dyshohen se kanë pastruar para të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës, që kontrollohet nga mafia shqiptare.
Autoritetet në Itali dhe Shqipëri, konkretisht Guardia di Finanza në Verona dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në Shqipëri, zbuluan se familja Çela ka investuar shumën e parave të fituara nga droga në prona dhe biznese në zonën e Veronës.
Këto para vijnë kryesisht nga trafiku i kokainës që importohet nga Amerika e Jugut për tregun në Evropë. Gjykata në Verona urdhëroi sekuestrimin e pasurive, aksioneve dhe fondeve financiare të familjes Çela, me vlerë rreth 4 milionë euro. Kjo masë u zbatua në ditën e sotme.
Hetimet janë përqendruar tek dy vëllezërit: njëri është në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në burg në Belgjikë. Ai u arrestua në Verona në qershor 2024, me akuzat për përfshirje në një vrasje të lidhur me një klan rival në Antverpen.