Një mjek kirurg është vënë nën hetim nga prokuroria në gjendje të lirë, pasi dyshohet për neglizhencë në trajtimin mjekësor që çoi në vdekjen e një pacienteje pas një operacioni.
Rasti është denoncuar nga familjarët e viktimës, ndërsa hetimet janë duke u kryer nga Prokuroria e Durrësit për të zbuluar të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e saj.
Operacioni për rënien në peshë ka rezultuar fatal për një 54-vjeçare nga Durrës. Valbona Xha Zejno humbi jetën një ditë më parë në një spitali privat, ndërsa sot familjarët i dhanë lamtumirën.
Burimet thanë se 54-vjeçarja i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për ngushtimin e stomakut dhe ka pësuar komplikacione në sallën e operacionit. Pavarësisht përpjekjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë, thanë burimet, dhe ka humbur jetën pas operacionit. Ndërhyrja është kryer nga kirurgu i njohur në qytetin e Durrësit, Ilir Shani, i cili sot është vënë në hetim për vdekjen e pacientes.
Kirurgu Ilir Shani në një reagim publik thotë se pacientja vdiq një ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale, pasi ka pësuar infarkt.
Mësohet se pacientja kishte probleme me zemrën, por ende nuk është e qartë nëse kjo gjendje shëndetësore është marrë parasysh para ndërhyrjes kirurgjikale. Hetimet do të zbulojnë nëse ka pasur mangësi apo gabime në trajtimin mjekësor që iu bë pacientes.
Sipas Kodit Penal shqiptar, kur një person humb jetën për shkak të pakujdesisë apo mungesës së kujdesit mjekësor, parashikohet një dënim me burg deri në 2 vjet.