Pavarësisht se është një nga njerëzit më të pasur në planet, Bill Gates shpesh mban ora që nuk bëjnë pjesë në kategorinë e luksit, të paktën jo për nga çmimi. Shumica e orëve që mban bashkëthemeluesi i kompanisë Microsoft kanë një dizajn të thjeshtë dhe nuk kushtojnë shumë dhe një nga këto modele është Casio Duro MDV106-1AV 200M.
Bëhet fjalë për një model që dallohet për thjeshtësinë dhe qëndrueshmërinë e tij. Ka dalë në treg në vitin 2013 dhe çmimi i tij është vetëm 70 dollarë (rreth 62 euro), sipas faqes zyrtare të markës Casio.
View this post on Instagram
Është një orë e besueshme me kuti prej çeliku inox. Ka një kornizë rrotulluese për zhytje, në stilin e dhëmbëzave dhe ekran analog me tre akrepa. Shifra e zezë përmban indekse të ndryshme, akrepa dhe një dritare për datën, të gjitha me thekse ndriçuese. Ora vjen me rrip gome që është i rehatshëm për t’u mbajtur dhe siç tregon edhe emri i saj, ofron rezistencë ndaj ujit deri në 200 metra thellësi.
Bill Gates premtoi së fundmi se do ta dhurojë pothuajse të gjithë pasurinë e tij personale gjatë dy dekadave të ardhshme. Siç tha, rreth 200 miliardë dollarë do të shkojnë për më të varfrit e botës përmes fondacionit të tij, në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po shkurtojnë ndihmën ndërkombëtare. Filantropi 69-vjeçar dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it tha se po përshpejton planet për të ndarë pasurinë dhe për ta mbyllur Fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.