Kombëtarja U-17 zhvilloi ndeshjen e saj të dytë në Kampionatin Europian, përballë Gjermanisë, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Kuqezinjtë pësuan një tjetër humbje me rezultatin 0-4. Gjermania shënoi që në minutën e 7-të me golin e Jeremiah Mensah.
Shqipëria reagoi shpejt dhe ishte shumë pranë barazimit në minutën e 14-të, por Kulla dhe Sheji nuk ia dolën përballë portierit gjerman, i cili ndaloi aksionin me një ndërhyrje vendimtare.
Në minutën e 20-të, gjermanët dyfishuan rezultatin me golin e Alexander Staff, duke mbyllur pjesën e parë në avantazh 2-0. Në pjesën e dytë, Gjermania vazhdoi dominimin, duke shënuar edhe dy gola të tjerë – një nga Wisdom Mike në minutën e 65-të dhe një tjetër nga Keziah Oteng-Mensah në minutën e 85-të, pas një penalltie të fituar.
Kjo ishte humbja e dytë radhazi e Shqipërisë në këtë turne me katër gola, pas rezultatit negativ kundër Portugalisë në ndeshjen e parë të grupit. Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjet e treta dhe të fundit të grupit. Shqipëria do të përballet me Francën më 25 maj në “Elbasan Arena”, në orën 20:30, ndërsa Gjermania do të luajë ndaj Portugalisë në të njëjtën ditë dhe orar në “Arenën Kombëtare”.
Trajneri Andrea Tedesco e nisi takimin me formacionin: Raffaele Huli (kapiten), Fabian Hallidri, Fabjano Nuhaj, Leon Sylejmani, Kris Gecaj, Evagjelos Gjoka, Andreas Llana, Alex Ramku, Rikardo Sheji, Gabriel Kulla dhe Arman Durmisi. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të Grupit A, e zhvilluar në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, Franca dhe Portugalia u ndanë në një barazim pa gola, 0-0.