Ka reaguar gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha, pas masës së SPAK ndaj tij. Hoxha shprehet se në mëngjes herët i bastisën shtëpinë, ndërsa pasdite e thirrën dhe i kërkuan ndjesë.
Dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha u paraqitën në SPAK këtë të hënë.
Gazetarët Artan Hoxha dhe Qyno qëndruan për rreth 1 orë në ambientet e SPAK dhe dolën me dosje në duar.
Gazetari Artan Hoxha akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa gazetari Elton Qyno nën akuzë për korrupsion pasiv në sektorin privat.
“Jam në detyrim paraqitje me Eltonin nuk kam arrest shtëpie. Thjeshte ne mëngjes herët na bastisen shtëpitë morën gjithë mjetet e punës, celulare, tablet, lap top, usb hardisk, kaseta video gjithë arshivën. Materiale te pa publikuar te SPAK, ku flitet pre politiken dhe implikimin ne zgjedhje. Pasdite na thirren na kërkuan Ndjese dhe na thane qe bastisje ne banese është bere ne shkelje te ligjit dhe na kthyen mjetet e punës….
Pra Kontrolli i banesave ne mëngjes dhe sekuestrimi i provave u cilësua i paligjshëm pasdite prandaj na kthyen gjithë gjerat…”, deklaroi Artan Hoxha për Top Story, në Top Channel, lidhur me masën e SPAK ndaj tij.
Gazetarët kaluan dyert e Prokurorisë së Posaçme pasi GJKKO ka lëshuar masën “detyrim paraqitje” ndaj tyre në kuadër të megaoperacionit të SPAK.
Sot janë kryer kontrolle banesash ndaj 13 shtetasve midis tyre ish gjyqtarë, ish prokurorë por edhe në banesat e të afërmve të të shumë kërkuarit Suel Çela, pas një hetimi të SPAK që ka sërish si referim bisedat në Sky ECC dhe Enchro.