Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar për çështjen penale ndaj Flori Pali dhe Fredi Pali, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në Shqipëri dhe Norvegji.
Flori Pali është dënuar me 11 vjet burg, pasi u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë prodhimin dhe trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe drejtimin e grupit kriminal. Ndërsa Fredi Pali, vëllai i tij, është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, pasi u gjet fajtor për pastrim parash dhe përfshirje në grupin kriminal.
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e disa pasurive në emër të tyre, përfshirë:
Dy apartamente në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë,
Një automjet “Mercedes Benz”,
Një automjet tjetër “Daimler Chrysler”,
Një tokë bujqësore në Ishull Shëngjin,
Si dhe disa celularë.
Kjo çështje ka qenë pjesë e një hetimi të përbashkët me autoritetet norvegjeze, ku u provua se grupi trafikonte drogë në qytetin Stavanger të Norvegjisë, dhe të ardhurat e përfituara ktheheshin në Shqipëri përmes kanaleve të ndryshme, për t’u fshehur dhe investuar.
Ndaj këtyre vendimeve është urdhëruar zbatimi nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Brendshme.