Aktualitet

Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu/ Familjarët kërkuan detaje nga hetimet, Prokuroria SHOKON: Të drejtën e ka të pyesë vetëm viktima!

Shkruar nga Liberale

Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu/ Familjarët kërkuan detaje nga

Ka kaluar thuajse një vit që prej se 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale në dhëmbë, në një klinikë private në Tiranë.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se prindërit e tij kanë kërkuar në Prokurorinë e Tiranës detaje në lidhje me fazën se ku ndodhen hetimet, shkakun e vdekjes së vogëlushit dhe personat përgjegjës, por janë përballur me një shkresë, përgjigjen e të cilës ata nuk e prisnin.

Në përgjigjen e organit të akuzës, thuhet se “të drejtën për të marrë informacion në lidhje me procesin, e ka vetëm viktima e veprës penale”.

Përgjigje kjo absurde, pasi 3-vjeçari ka ndërruar jetë.

“Këto janë të drejta sipas parashikimeve ligjore të këtij kodi, konkretisht neni 58, pika d) i ka vetëm viktima e veprës penale dhe gjithmonë pa cenuar parimin e sekretit hetimor. Ndërsa të drejtën për të kërkuar informacion lidhur me arsyet e kryerjes apo jo të një veprimi hetimor nga ana e prokurorit, siç jeni drejtuar me disa pyetje “retorike” në kërkesën tuaj nuk e ka as viktima e veprës penale, pasi këto lloj pyetjesh cenojnë pavarësinë e prokurorit dhe kompetencat e tij në ushtrimin e ndjekjes penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar familjarëve të 3-vjeçarit Brian Spahiu.

Ekspertiza mjekoligjore që u bë nga IML rezultoi se shkak për vdekjen fatale të 3-vjeçarit u bë anestezia, e vendosur në klinikën dentare të mjekut Roland Xhaxho. Por, Prokuroria e Tiranës kërkoi të bëhej ekspertiza mjekoligjore në Itali, pasi sipas organit të akuzës akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë, konkluzioni ishte i pasaktë dhe se mungonin ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet.

Po ashtu News24 mëson se Prokuroria ka marrë në pyetje vetëm një mjek në QSUT, ndërsa të tjerët që kanë ndjekur gjatë kurimit kur 3-vjeçari ishte i shtruar te pediatria e QSUT, nuk janë marrë në pyetje. I mituri i ishte nënshtruar një ndërhyrje në dhëmbë te klinika e Roland Xhaxhos. Kur 3-vjeçari u shtrua në QSUT e kanë asistuar të paktën 6 mjekë.

I mituri humbi jetën më 1 tetor 2023. Vdekja e tij prej një gabimi mjekësor solli reagimin e fortë të opinionit publik, ndërsa qytetarët u ngritën edhe në protesta.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH