Paraditen e sotme u dha lajmi se ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame kishte ndërruar jetë në një spital në Gjermani, pas një komplikacioni në zemër.
Në fakt, këtë mbrëmje u bë me dije se lajmi nuk ishte e vërtetë, pasi Lame ndodhet në koma cerebrale, një gjendje e rëndë dhe me pak shanse për të mbijetuar por gjithsesi kur pacienti cilësohet në jetë, ndonëse me shanse të vogla, ai nuk mund të deklarohet kurrsesi i vdekur.
Lajmi fatkeqësisht u përhap nga mediat, ministra dhe deputetë, zyra e Kadastrës ku ai punoi për një kohë të gjatë dhe deri te kryeministri vetë, Edi Rama, çka nxjerr në pah shpërkujdesjen e frikshme dhe përtesën për të verifikuar të vërtetën.
Gazetari Blendi Fevziu përgënjeshtroi në mbrëmje atë që tha paradite, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe disa nga ministrat e bënë fakt të kryer vdekjen e një zyrtari të lartë socialist, duke mos pasur informacionin e saktë që siç rezultoi më vonë vdekja në fakt ende nuk ka ndodhur.
Ishin familjarët e z.Lame ata të cilët përgënjeshtruan lajmin në mbrëmje. Avokati Genc Gjokutaj përmes një statusi përgënjeshtroi lajmin që mori dhenë e madje tha se kemi të bëjmë me një akt të dënueshëm. Çka na fajëson dhe na penalizon të gjithëve nga mediat, zyrtarët e lartë deri te kreu i qeverisë.
"Lajmi i rremë i vdekjes se z. Artan Lame është nje nja gjestet më antihumane dhe antietike i mediave te cilat e kanë shpërndarë sot gjithe ditën! Pavarësisht se koma cerebrale e konfirmuar eshte nje gjendje shume e rëndë ajo kurrsesi nuk mund te barazohet me vdekjen!
Vdekja si akt mund te konfirmohet vetem nga stafi mjekesor pergjegjes per pacientin qe ka ne ndjekje dhe kujdes!
Ky eshte nje akt i dënueshëm, i papërgjegjshëm, joprofesional dhe nje fyerje per vete z. Lame, familjarët dhe opinionin publik!
Media e vertete do te thotë raport i drejte me te verteten! Zotit Artan Lame i urojme rekuperimin e shpejte dhe te plote shendetesor me ndihmen e mjekeve dhe Zotit!" - shkroi avokati Gjokutaj.
Gazetari Lutfi Dervishi tregon se kjo nuk është hera e parë që Lame “ka parë vdekjen me sy”.
Postimi i Dervishit në rrjetet sociale:
Artan Lame mes dy botëve
Sot në mëngjes, lajmi i ditës ishte se Artan Lame kishte ndërruar jetë.
Në mbrëmje, lajmi ndryshoi: Artan Lame nuk ka ndërruar jetë. Është në gjendje kome.
Nuk është hera e parë që jeta i jep një kthesë të tillë. Edhe në vitin 2016, pas çarjes së aortës, gjithçka dukej se po përfundonte. Dhe ai u kthye si dëshmitar që kishte parë bregun tjetër, por zgjodhi të qëndronte pak më gjatë në këtë anë.
Ka diçka të thellë, thuajse metafizike, në këtë ndalesë mes jetës dhe vdekjes. Si një pushim fryme, një hapësirë ku as fjala nuk guxon të dalë përpara jetës.
Dhe nëse Artan Lame do të rikthehet, siç bëri një herë më parë, do të jetë ndoshta i vetmi njeri që ka lexuar të gjitha ngushëllimet për veten… dhe është kthyer për t’ia dalë një herë tjetër.