Një ngjarje e rëndë ndodhi në Londër, ku një 27-vjeçar shqiptar, Lumturi Zeqja, u vra me thikë në tetor të vitit 2022. Për këtë ngjarje tragjike, Sabajet Shuti, 31 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia britanike, ndërsa vëllai i tij, Emirlion Shuti, 30 vjeç, u dënua me 20 muaj burg për përfshirje në përleshje.
Ngjarja ndodhi më 16 tetor 2022 në zonën Church Lane në Leytonstone. Sipas hetimeve, Lumturiu po qëndronte jashtë një kafeneje me mikun e tij kur vëllezërit Shuti mbërritën me dy makina. Situata u tensionua shpejt dhe përfundoi në një përleshje të dhunshme.
Gjatë konfliktit, Emirlion Shuti goditi me grusht mikun e Lumturiut, ndërsa Sabajet Shuti nxori një thikë dhe goditi për vdekje Lumturiun, duke plagosur edhe shokun e tij. Pas sulmit, të dy vëllezërit u larguan nga vendngjarja.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të urgjencës, Lumturiu nuk arriti të mbijetojë, ndërsa miku i tij iu nënshtrua një operacioni urgjent dhe arriti t’i shpëtojë jetës.
Hetimet e policisë përfshinë analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe të dhënave nga telefonat celularë, të cilat çuan në identifikimin e autorëve. Një ditë pas krimit, Sabajet Shuti u përpoq të largohej nga Britania e Madhe. Ai ndryshoi pamjen, rroi mjekrën dhe kaloi në Francë përmes Folkestone. Megjithatë, një vit më vonë, më 3 tetor 2023, ai u arrestua në Suedi dhe u ekstradua për në Britani për t’u përballur me drejtësinë.
Ndërkohë, Emirlion Shuti ishte arrestuar më herët dhe u shpall fajtor për rolin e tij në përleshje.