Në konferencën e përbashkët me kreun e SPAK Altin Dumani, kryeprokurori i Barit Roberto Rossi deklaroi se bashkëpunimi efikas mes dy vendeve dha rezultate tejet të mira, referuar operacionit më të fundit.
Në fjalën e tij kryeprokurori italian lartësoi punën e Strukturës së Posaçme në goditjen e krimit, ndërsa theksoi se mafia shqiptare është një “forcë e madhe ndërkombëtare” që duhet luftuar.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, ky ishte një bashkëpunim ndërkombëtar kundër mafies dhe narkotikëve. Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë prej 10 vjetësh për arritjen e objektivave të përbashkëta për të luftuar krimin në Shqipëri apo Itali. Jemi të ndërgjegjshëm që autoritetet e hetimit shqiptar e në veçanti SPAK janë shumë të afta për kapjen e veprave, bashkë me ne.
Kjo forcë e përbashkët është shumë e rëndësishme! Për fat të keq, mafia shqiptare është forcë ndërkombëtare shumë e madhe, por jemi të sigurt që populli shqiptar me anë të Prokurorisë e Gjykatave shqiptare do jetë në gjendje ta luftojë këtë tumor. Pikërisht përmes bashkëpunimit, jemi të sinkronizuar. Ka gjithashtu një prezencë të jashtëzakonshme të Policisë Gjyqësore italiane e shqiptare që bashkë me ne arrijnë objektiva të përbashkëta”, deklaroi Rossi.