Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi konsiderohen gjerësisht si dy ndër themeluesit e së majtës demokratike në Shqipëri. Është kjo një ndër fotot e rralla pak ditë pas Revolucionit të Qershorit ku Noli dhe Gurakuqi shfaqen si dy bashkëpunëtorë dhe idealistë, që nuk bënë kurrë kompromis mbi bindjet e tyre.
E ndërsa roli i qeverisë së Nolit ngjall debat, pyetja që shtrohet dhe që historianët duhet ti japin përgjigje është: cilat ishin bindjet e tyre?
Më 25 qershor 1924 – Presidiumi i Federatës Komuniste Ballkanike dhe Partia Komuniste italiane lëshojnë një manifest të përbashkët drejtuar klasës punëtore të Shqipërisë për të mbrojtur fitoret e revolucionit të qershorit.
Kjo ishte mbështetja e parë ndërkombëtare për qeverinë e Nolit, vetëm pak ditë pas ardhjes në pushtet përmes revolucionit.
Por në 6 muajt e qeverisjes, Nolit dhe qeverisë së tij, i mungoi ndihma e nevojshme ndërkombëtare për të çuar përpara reformat e premtuara.
Mbështetje e komunistëve ballkanikë ndaj Nolit duket se ka ardhur më tepër si një papajtueshmëri me qeverisjen e Zogut.
Mbështetja e tyre, në mungesë të mbështetjes dhe ndihmës ndërkombëtare që kërkonte Qeveria e Fan Nolit, ndoshta ka krijuar edhe një keqkuptim për Nolin, duke e etiketuar atë si “komunist”.
Ndërkohë që qeveria fashiste italiane mbështeti rikthimin e qeverisë së Ahmet Zogut, 6 muaj pas Revolucionit të qershorit, çka solli edhe përfundimin e misionit politik të Fan Nolit në Shqipëri.