Anita Likmeta, sipërmarrëse në fushën e inovacionit ishte kandidatja e parë shqiptare që konkurroi për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare të 2022.
Në një intervistë për Living ajo flet për këtë angazhim politik, si e mori ftesën dhe pse pranoi të kandidonte për në parlamentin italian.
"Pas vlerësimit në Londër si një nga 50 gratë më me ndikim në Evropë për inovacion, në kuadër të “Inspiring 50,” mora një telefonatë nga nënsekretari Bruno Tabacci, i cili më kishte lexuar në Corriere della Sera. Më propozoi të kandidoja për Parlamentin pas rrëzimit të qeverisë Draghi. E dija që nuk do të zgjidhesha – ia thashë: “Nuk do të kaloj, por pranoj.” Pranova, sepse ajo kandidaturë ishte një akt simbolik: të ishe gruaja e parë shqiptare e kandiduar për Parlamentin italian do të thoshte të afirmoje një vizion të vërtetë për përfshirje dhe hapje", është shprehur Likmeta.
Por si e sheh ajo politikën shqiptare nga jashtë? Marrëveshjen Rama – Meloni për emigrantët e huaj në kampin e Gjadrit dhe pozicionin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?
"Politika shqiptare, kur shihet nga jashtë, pasqyron ende kompleksitetin e një vendi që, pas tridhjetë vitesh tranzicioni, kërkon një rrugë drejt stabilitetit dhe vetëvendosjes. Marrëveshja midis Ramës dhe Melonit për menaxhimin e migrantëve të huaj në kampin e Gjadrit e tregon këtë: një zgjedhje që, e parë nga dy perspektiva të ndryshme, ofron lexime krejt të kundërta."
"Si italiane, e shoh këtë marrëveshje të pafavorshme për Italinë. Jo vetëm për implikimet etike dhe politike, por edhe sepse Meloni tani përballet me një hetim të prokurorisë për dëme të supozuara financiare lidhur me këtë investim në Shqipëri. Është një strategji që, ndonëse maskohet si një zgjidhje praktike, duket se transferon përgjegjësi në vend që t’i zgjidhë ato, duke zhvendosur peshën e kontradiktave europiane mbi çështjen e migracionit përtej kufijve të saj".