Policia e Tiranës ka arrestuar Enea Tahirin dhe Besnik Shabanin, të cilët u kapën duke transportuar lëndë narkotike në një automjet.
Enea Tahiri, 37 vjeç dhe Besnik Shabani, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë, janë vënë në pranga për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Operacioni u realizua pas informacionit të siguruar nga inteligjenca policore, ku shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet në aksin rrugor “Mamurras-Kashar” në Thumanë. Gjatë kontrollit në automjetin që drejtohej nga 37 vjeçari dhe kishte pasagjer Besnik Shabani, Policia ka gjetur 59 pako me lëndë narkotike të dyshuar si kanabis me një peshë totale prej 60 kilogramë e 6 gramë.
Dyshohet se lënda narkotike po transportohej për qëllime shitjeje. Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar edhe pakot me lëndë narkotike dhe automjeti që dyshohet të jetë përdorur për transportimin e saj.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht këtë aktivitet kriminal dhe mundësinë e identifikimit të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.