Ish-zv.ministër i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, i cili ndodhet në qeli me vendim të GJKKO-së, lidhur me koncensionet në shëndetësi, po dëshmon sot para Komisionit Hetimor Parlamentar.
Rrjepaj është marrë i pandehur nga SPAK lidhur me koncensionin e sterilizimit. Prokuroria Speciale ka lejuar që Rrjepaj të japë dëshminë para Komisionit Hetimor, ndërkohë që nuk ka ende një përgjigje për kërkesën e Komisionit Hetimor lidhur me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj, edhe ky nën akuzë nga SPAK.
Në dëshminë e tij ai tha se janë një sërë elementësh që përbëjnë projektin, që quhet rëndom sterilizimi, ndërsa ka dhënë detaje lidhur me të gjithë procesin. “Sterilizimi është vetëm një komponent nga i gjithë procesi”, tha Rrjepaj.
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë ka drejtuar dy komisione për koncensionet e Check Up dhe Sterilizimit.
“Jam në dijeni të masterplanit të QSUT të përgatitur nga një kompani gjermane, Top Consult”, tha Rrjepaj, i cili pohoi se ka pasur një investim në repartin qendror të sterilizimit, por nuk pati një dorëzim me “çelësa në dorë” për projektin, duke përfshirë të gjithë komponentët.
Për centralin e sterilizimit, Rrjepaj tha se pjesa e investimit për pajisje teknologjike ishte 0.8 mln euro, ndërsa përsa i takon infrastrukturës ishte rreth 0.6 mln euro.