Kuvendi i Shqipërisë miratoi Projektdeklaratën e PDIU-së që i kërkon qeverisë të rrisë përpjekjet që Greqia të heqë ligjin e luftës me Greqinë. Gjatë prezantimit në Kuvend, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi e cilësoi ligjin si “absurditet juridik”, në një kohë që Shqipëria dhe Greqia kanë së bashku një trakt miqësie dhe janë anëtare të NATO-s. Sipas tij, Projektdeklarata shërben për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona mbi respektin e ndërsjellët.
Pro projekt-deklaratës kanë votuar 96 deputetët e pranishëm në sallë, ndërsa nuk është shënuar asnjë votë kundër.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, e quajti një absurditet 84-vjeçar mbajtjen ende në fuqi të Ligjit të Luftës nga Greqia. Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend për iniciativën e propozuar nga grupi “Drejtësi dhe Integrim”, Çuçi shprehu qëndrimin e mazhorancës parlamentare për ta mbështetur miratimin e kësaj Deklarate, si dhe kërkoi që fqinjët tanë ta hedhin pas krahëve këtë absurditet.
“Kur po i afrohemi dekadës së tretë të shekullit XXI e teksa Shqipëria dhe Greqia kanë një Traktat Miqësie, si dhe janë anëtare e aleate në aleancën politike e ushtarake më të fuqishme që ka sot bota, në NATO, mbajtja ende formalisht në fuqi e këtij ligji e për rrjedhojë pasojave që ai sjell, është një absurditet i madh. Një atavizëm që nuk i bën nder fqinjëve tanë jugor dhe as nuk reflekton kontekstin e sotëm të miqësisë e partneritetit që ne kemi. Do ishte dashur që ky ligj të shfuqizohej po njësoj siç Greqia bëri edhe me Italinë në vitin 1947”, tha Çuçi.
Më tej ish-ministri theksoi se sot ka një realitet të ri të marrëdhënieve Shqipëri-Greqi dhe nuk është nevoja të priten ende 84 vite të tjera për ta shfuqizuar Ligjin e Luftës. Çuçi tregoi gjatë fjalës së tij edhe përpjekjet e vazhdueshme të bëra nga qeveria shqiptare për të mos e pasur këtë çështje në tavolinën e marrëdhënieve dypalëshe.