Aranit Muraçi
Një studim i fundit me interes publik në Britaninë e Madhe zbuloi se shumë studentëve iu desh të kufizonin ushqimin vitin e kaluar akademik për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Edhe kursimi, dhe kujdesi ndaj shpenzimeve nuk ishte i mjaftueshëm për të ulur kostot aq sa detyroi shumë studentë të anashkalonin vaktet e ushqimit, të merrnin borxhe ose të hiqnin dorë nga shumë shpenzime të tjera të nevojshme, zbuloi ndër të tjera studimi.
Në një nga vendet më të zhvilluara të Europës, Britania e Madhe, dhe me universitetet më të mira në botë, të dhënat që nxori studimi treguan se nëntë në 10 studentë ishin të shqetësuar për koston në rritje të jetesës.
Nëse shumë probleme nuk do të merrnin zgjidhje, sikur të kishte edhe në Shqipëri studime që të tregonin panoramën e vërtetë të problemeve që hasin studentët dhe shtresat e tjera në nevojë, të paktën do të kishte ndërgjegjësim.
Kostoja e marrjes me qira të një banese për të jetuar është rritur ndjeshëm në shumë qytete të Mbretërisë së Bashkuar, pasi konkurrenca për një numër në rënie të pronave është rritur. Ndërkohë që ndodh e kundërta në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, teksa ndërtimet shtohen dhe njerëzit pakësohen. Ndërkohë që çmimi i qirave dhe i banesave rritet vazhdimisht. Për të marrë një apartament me qira këtë vit në Tiranë çmimi mesatar ka shkuar në 400 euro. Një shifër e papërballueshme për shumicën e studentëve dhe familjeve në nevojë. Pa llogaritur kostot në rritje të transportit dhe rritjen e çmimit të ushqimeve. Kostoja për çdo qytetar është rritur të paktën 8 mijë lekë (të reja) gjatë vitit të fundit sipas të dhënave më të besueshme. Studentët, të papunët dhe pensionistët ashtu si në Shqipëri mbetet shtresa më e prekur ose më e goditur nga inflacioni në mbarë botën.
Nëse për shtresat në nevojë dhe më të goditura nga “turbullirat ekonomike” që ndodhin shpesh qeveritë kudo kanë një tjetër qasje, derisa të arrihet kthimi në normalitet, fatkeqësisht në vendin tonë zhvillimi dhe progresi i shoqërisë është lënë i tëri në mëshirë të fatit. Suksesi dhe dështimi janë thjesht çështje interpretimi. Mbi këtë logjikë, në shoqëri ku fshihet e vërteta, me e suksesshme rezulton ministria dhe më pas institucionet në varësi të saj... kurse në fund dështumi i mbetet pjesës tjetër të shoqërisë, e cila ka mbetur pa asnjë vendimmarrje.
Ajo që e dallon Shqipërinë nga Britania e Madhe dhe nga vendet e tjera është fakti se pak-kush në vendin tonë shqetësohet për shtresat më në nevojë, ose për problemet që hasin sektorë prioritarë zhvillimi siç është arsimi. Mungon debati i shëndoshë ose interesi i duhur për të nxjerrë në pah problematikat.
Ndërkohë, mediat britanike raportojnë se çmimet e ushqimeve kanë shënuar rritje gjatë vitit të kaluar dhe kritikohen si qeveria ashtu edhe shitësit me shumicë, probleme të mprehta të kësaj natyre në vendin tonë harrohet pa nisur debati për t’i zgjidhur ato në dobi të qytetarëve. Disa çmime të shitjes me shumicë pas shumë kritikash kanë rënë muajt e fundit, në Britani, ndonëse supermarketet apo shitësit me shumicë janë akuzuar se po i mbajnë ato më të larta se ç'duhet, duke gërryer xhepat e klientëve. Rregullatorët u kanë thënë supermarketeve të jenë sa më të qarta kur vendosin çmimet në treg. Autoritetet të cilët përpiluan studimin e fundit thanë se disa studentë duhej të anashkalonin vaktet ose të hiqnin dorë nga ngrohja për të ulur kostot. Shumë prej tyre punojnë me orë shtesë, ndonjëherë bëjnë shumë punë, ose ia dalin falë mbështetjes së familjes.
Studentët britanikë thanë se kishin kaluar një përvojë më të dobët universitare si rezultat i rritjes së kostos së jetesës që ndikonte në performancën e tyre akademike, zhvillimin e aftësive, shëndetin dhe mirëqenien.
Organizata “Save the Student” përmes një sondazhi tregoi se të anketuarit shpenzonin 1,078 paund në muaj për kostot e jetesës, nga 924 paund që shpenzonin një vit më parë (ose çdo studenti i duhen rreth 154 paund, afro 200 Euro për të përballuar jetesën si më parë). Çdo kategori shpenzimesh ishte rritur, por studimi nxori në pah se rritja më e madhe prej 21 paund në muaj shkonte piëkrisht për qiranë.
Anketa e 11-të Kombëtare e Studentëve e kryer nga “Save the Student” u bazua në 1786 përgjigje të filtruara nga studentët që përdorin faqen e tyre të internetit në Mbretërinë e Bashkuar. Tom Allingham, nga Save the Student, tha se rezultatet e sondazhit të tij ishin "shqetësuese" me "një pjesë të madhe" studentësh të cilët po përballen edhe me mungesë ushqimi.
Kjo kishte çuar në një numër më të madh të aksesit në fondet e vështirësive të universitetit, tha ai.
Një zëdhënëse e Departamentit të Arsimit në Britaninë e Madhe, nga shqetësimi në rritje dhe debati mbi politikat favorizuese për studentët, tha se “po mbështesim universitetet për të ndihmuar studentët që janë në vështirësi financiare duke vënë në dispozicion 276 milion paund këtë vit akademik, të cilat institucionet mund t'i përdorin për të plotësuar skemat e tyre të vështirësive.”
Në Britani studentët kanë akses të marrin po ashtu kredi dhe grante.
“Shumë universitete kanë bërë një punë të mirë për të mbështetur studentët që janë në vështirësi financiare përmes një sërë programesh dhe ne u bëjmë thirrje studentëve që janë të shqetësuar për rrethanat e tyre të flasin me universitetin e tyre.” Studimi nxori gjithashtu në pah se bursat dhe fondet e vështirësive nuk ishin të hapura për të gjithë, prandaj edhe si konkluzion kërkohej një bashkëpunim më i ngushtë dhe më i frytshëm mes qeverisë, universiteteve dhe shoqërisë civile, me qëllim që studentët dhe e ardhmja e Britanisë të jetë më e mirë.
Sikur të paktën edhe Shqipëria të bënte sadopak përpjekje për të tilla qasje.
/Liberale.al/