Pas tri viteve në gjimnaz, maturantët i kanë dhënë lamtumirën klasave dhe tashmë janë përballë sfidës së provimeve të Maturës Shtetërore. Me emocione, kujtime dhe përgatitje, mbi 27 mijë nxënës do të ulen nesër (3 qershor) në bankat e shkollës për të dhënë provimin e parë, atë të gjuhës së huaj.
Shumë prej tyre ndajnë ndjesitë dhe kujtimet me shokët e klasës. “Jam emocionuar, nesër mund të qaj nga emocionet”, – thotë Gentiana, një maturante që ka punuar shumë për këto provime. Ndërsa Ibrahim, që dëshiron të ndjekë Akademinë e Arteve, shton: “Disa më thanë se po e djeg kot mesataren, por unë ndjek pasionin tim”.
Ministria dhe shkollat kanë publikuar rregulla të qarta për ditën e provimit. Nxënësit duhet të paraqiten 1 orë e 30 minuta përpara provimit vetëm me kartën e identitetit dhe stilolaps. Telefonat dhe çdo pajisje elektronike janë të ndaluara, ndërsa në shkolla janë vendosur bllokues valësh dhe detektorë për të siguruar një proces të drejtë.
Testimi do zhvillohet në ambiente të mëdha dhe të monitoruara me kamera. Kush kapet me telefon humbet të drejtën për ta dhënë provimin dhe e riprovon vetëm në sesionin tjetër.
Pas gjuhës së huaj, më 10 qershor vjen provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, më 17 qershor matematika, dhe më 24 qershor provimi me zgjedhje.