Aranit Muaçi
Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama është zotuar se paga mesatare do të shkojë vitin tjetër në 900 euro. Sipas të dhënave zyrtare paga mesatare, e ndihmuar edhe nga zhvlerësimi i monedhës europiane, ka shkuar aktualisht në rreth 700 euro, nga më pak se 600 euro që ishte një vit më parë.
Paga mesatare mujore bruto sipas INSTAT, për një të punësuar me pagë gjatë tremujorit të dytë 2023 ka shkuar në 70.905 lekë, duke u rritur me 16,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Gjatë tremujorit të dytë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.
Nën pagën mesatare paguhen të gjitha profesionet që kanë të bëjnë me aktivitetet prodhuese, si bujqësia, pyjet dhe peshkimi dhe industria, çka ka bërë që paga e ulët në këto sektorë si dhe mungesa e politikave efikase të ndikojë në emigracionin masiv dhe shpopullimin e vendit. Ndërtimi, tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor janë sektorë të tjerë ku pagat janë aktualisht nën mesataren.
Sipas të dhënave të INSTAT, nënpunësit e Administratës Publike marrin aktualisht pagën mesatare, prej 700 euro në vendin tonë. Por punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve, punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit, zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to, punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve, punëtorë (Profesione elementare), të gjithë këto kategori ndonëse të lidhura direkt me prodhimin paguhen nën pagën mesatare.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 20,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi prej 12 %.
Sakaq, shpërblimet dhe shtesat mbi pagë të cilat aplikohen përgjithësisht nga administrata publike, të themi pjesa më e privilegjuar (dieta, pagesa për punë ekstra), dhe janë një pjesë e pagës mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, të cilat në fund të çdo gjashtëmujori rrisin ndjeshëm pagën mesatare mujore bruto. Çka do të thotë se nuk kanë ndikim në pjesën më të madhe të të punësuarve si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.
Gjatë tremujorit të dytë 2023, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.
Krahasuar me rajonin Shqipëria e ka rritur ndjeshëm pagën mesatare gjatë pesë viteve të fundit. Rritja me rreth 200 euro është më e larta në rajon, megjithëse kjo rritja konsiderohet të jetë më tepër artificiale, pasi paga reale për shumicën e popullsisë ka mbetur e njëjtë ose me një rritje të papërfillshme. Këtë e vërteton fakti që emigracioni vazhdon ndërsa shumë biznese, kryesisht në sektorin e prodhimit dhe të shërbimeve, po vuajnë për të gjetur fuqi punëtore.
Ndonëse objektivi i qeverisë me këtë ritëm mund të arrihet, rritja e pagave në bllok në sektorë të caktuar të administratës pa studiuar produktivitetin do të çojë në rritje të pabarazisë dhe për rrjedhojë në demoralizimin e pjesës tjetër që është e punësuar në sektorin privat. Ndaj edhe nxitimi për ta çuar pagën mesatare në 900 euro, pa marrë parasysh pasojat e inflacionit dhe të treguesve të tjerë makro-ekonomikë, rrezikon të japë më tepër efekt negativ sesa pozitiv në ekonomi.
/Liberale.al/