Aktualitet

SHIFRA E DITËS: A po projektohet falimentimi i Shqipërisë? OKB: Në vitin 2100 do të mbeten 1.1 milionë banorë, gjysma në pension

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

E ardhmja e Shqipërisë është Bashkimi Europian dhe deri në vitin 2100 vendi ynë do të mund të ketë realizuar me siguri ëndrrën e madhe të anëtarësimit. Por për ata të cilët do të jetojnë në Shqipëri kjo ëndërr mund të bëhet e zymtë, sepse popullsia e Shqipërisë sipas projeksionit të OKB-së pritet të zbresë në më pak se 1.1 milionë banorë në fund të këtij shekulli dhe gjysma e saj do të jetë mbi 65-vjeç. Praktikisht, nëse një projeksion i tillë nuk ndryshon, vendi ynë mund të konsiderohet formalisht që tani i falimentuar, pasi në të tilla kushte nuk mund të funksionojë skema e pensioneve. Ose nëse ky projeksion realizohet ata që do të mbeten në Shqipëri, do të mbahen nga fondet e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.

Nivelet e ulëta e të vazhdueshme të lindshmërisë gjatë dekadave të fundit kanë kontribuar në plakjen e popullsisë në botë.  Më pak lindje çojnë në një rënie të përqindjes së të rinjve në popullsinë totale. Ky proces njihet si “plakje në fund” të piramidës së popullsisë.

Me kalimin e viteve, pothuajse të gjitha vendet e botës pritet të përjetojnë rritje në popullsisë mbi 65 vjeç, ose siç njihet ndryshe mosha e tretë. Në prag të shekullit të 19-të, popullsia e botës arriti një moment historik të madh: 1 miliard njerëz. Gjatë 220 viteve të fundit, numri u rrit në tetë herë, ose në 8 miliardë njerëz që jetojnë në planet sot, me gjysmën e rritjes që ka ndodhur që nga viti 1975. Kjo rritje e vazhdueshme në popullsinë globale është bërë e mundur falë përparimeve në kujdesin shëndetësor dhe të ushqyerit. Megjithatë, OKB-ja parashikon që rritja e shpejtë do të ngadalësohet  dhe madje mund të ndalet plotësisht deri në vitin 2100 – kryesisht për shkak të rënies së normave të lindshmërisë.

Shqipëria dhe krahasimi me vendet e rajonit

Në vitin 1950 të moshuarit mbi 65 vjeç në Shqipëri, sipas OKB-së, ishin (6.04%) krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Aktualisht ata janë (16.66%) dhe në vitin 2100 do të jenë 49.08%. Në vitin 1990 vit kur popullsia brenda territorin e Shqipërisë arriti pikën kulmore (3.3 milionë banorë), sipas INSTAT, në vendin tonë kishte 82 mijë lindje, ndërsa në 2022 vetëm 23.5 mijë lindje. Shtesa natyrore (diferenca midis vdekjeve dhe lindjeve) në vitin 2022 ishte vetëm 690 lindje më shumë se vdekje.  Në pritje të regjistrimit të ri në vjeshtën e këtij viti, popullsia e mbetur në vendin tonë sipas censusit të fundit(2011) ishte 2.8 milion banorë.

Kosova në vitin 1950 kishte një popullsi prej 5.33 për qind mbi moshën 65 vjeç. Aktualisht Kosova e ka moshën e tretë në 10.19 për qind të popullsisë totale dhe në vitin 2100 do ta ketë 43.35 për qind, ndonëse më të ulët se Shqipëria, sërish shumë më të lartë se të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Në botë, në vitin 1950 të moshuarit mbi 65 vjeç ishin 5.13%, aktualisht ata janë 9.82% dhe në vitin 2100 pritet të jenë 24.03%. Të gjitha vendet e tjera të rajonit pritet të kenë thuajse të njëjtën ecuri, ndryshe nga Shqipëria. Serbia në vitin 1950 e kishte 6.15% popullsinë mbi 65 vjeç, aktualisht ajo është 20.56% dhe në vitin 2100 pritet të jetë 37.55%. Greqia (6.8%) në vitin 1950, aktualisht (22.82%) dhe në fund të këtij shekulli pritet të ketë popullsinë mbi 65 vjeç në 37.52%. Maqedonia e Veriut në vitin 1950 (5.87%) aktualisht (14.91%) dhe në vitin 2100 pritet të shkojë në (36.56%). Mali i Zi në vitin 1950 (7.85%), aktualisht (16.55%) dhe në vitin 2100 (34.16%). Edhe pse aktualisht Italia është një vendet me popullsinë më të plakur në botë, sipas projeksionit të OKB-së, do të ketë thuajse të njëjtën përqindje të moshuarish me vendet e rajonit tonë në fund të këtij shekulli, por mbi 10 për qind më të ulët sesa Shqipëria. Në BE, Italia në vitin 1950 e kishte popullsinë mbi 65 vjeç (8.09%) aktualisht (24.05%) dhe në vitin 2100 pritet të shkojë (38.19%).

Shqipëria dhe krahasimi me vendet e tjera të BE-së

Ndërsa demografia vazhdon të ndryshojë me shpejtësi në shekullin e 21-të, plakja e popullsisë së botës do të jetë e pashmangshme, të paktën deri në fund të këtij shekulli. Rënia e nivelit të lindjeve dhe rënia e shkallës së vdekshmërisë do të thotë se plakja e popullsisë në rang global do të vazhdojë të rritet pa u ndalur gjatë gjithë këtij shekulli. Deri në vitin 2100, një sërë vendesh aziatike pritet të kenë më shumë se një të tretën e popullsisë së tyre të moshës 65 vjeç ose më të vjetër, përfshirë Korenë e Jugut dhe Xhamajkën, që sipas projeksionit të OKB-së, ose ajo do të shkojë në  44%. Megjithatë, Shqipëria sipas OKB-së është ajo që pritet të ketë rritjen më të  jashtëzakonshme, me 49% të parashikuar të popullsisë së saj, të moshës 65 vjeç e lart, deri në vitin 2100. Shkaqet kryesore janë emigracioni që sipas projeksionit të OKB-së nuk do të ndalet si dhe rënia e lindshmërisë.

Sfida e një popullsie në plakje është vendosur të ndikojë në të gjithë sektorët e shoqërisë, duke përfshirë tregun e punës dhe atë financiar, kërkesën për strehim dhe transport, dhe veçanërisht strukturat familjare apo edhe lidhjet midis brezave. Kurse vende të tilla si India, Brazili dhe Afrika e Jugut teksa arrijnë nivele më të larta të të ardhurave për frymë, ato do të kenë gjasa të ndjekin rrugët e ekonomive më të përparuara, duke përjetuar përfundimisht fate dhe sfida të ngjashme demografike.

Sipas parashikimeve të Eurostat-it popullsia e BE-së parashikohet të rritet në 449.3 milionë rreth vitit 2026 dhe më pas pritet të bjerë gradualisht në 416.1 milionë deri në vitin 2100. Deri në vitin 2100, piramida do të marrë më shumë formën e një blloku, duke u ngushtuar ndjeshëm në mes të piramidës (rreth moshës 45-54 vjeç).

Gjatë periudhës nga viti 2022 deri në vitin 2100, pjesa e popullsisë në moshë pune pritet të bjerë, ndërsa të moshuarit ndoshta do të përbëjnë një pjesë në rritje të popullsisë totale. Ata të moshës 65 vjeç e lart do të përbëjnë 31.3% të popullsisë së BE-së deri në vitin 2100, krahasuar me 21,1 % në vitin 2022.

Në vitin 2022, sipas raportit, kishte 771 milionë njerëz të moshës 65 vjeç në të gjithë botën, që përbënin pothuajse 10% të popullsisë botërore. Kjo kategori është rritur me një ritëm të madh dhe pritet të arrijë në 16% në vitin 2050, dhe 24% deri në vitin 2100. Disa nga vendet me përqindje të lartë të të moshuarve sot, përfshijnë vende me të ardhura të larta si Japonia (30%), Italia (24%) dhe Finlanda (23%). Përqindjet më të ulëta janë të përqendruara në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Shumë vende të tjera kanë vetëm 2% të popullsisë së tyre të moshës 65 vjeç e lart, si Katari, Uganda dhe Afganistani.

/Liberale.al/

 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH