Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 11 mijë maturantë duan të largohen, pse po i përzë 'demokracia' jonë

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 11 mijë maturantë duan të largohen, pse po i

Nga Aranit Muraçi

Demokracia mes të tjerash është produkt i edukimit. Ajo zhvillohet në një shoqëri të edukuar dhe të arsimuar mirë. Kush lufton për demokracinë, së pari vlerëson, investon dhe zhvillon arsimimin e vendit të tij. E kundërta ka rezultuar një mision i kotë, që prej kohës së antikitetit.

Nëse vendi ynë ka një problem sot me demokracinë, i gjithë problemi i saj mund të lidhet me arsimin. Mbi 30 mijë maturantë, sipas shifrave zyrtare, 11 mijë ose 1/3 e tyre presin këtë vit që të largohen për studime apo për të punuar jashtë vendit. Në universitete kanë aplikuar rreth 8 për qind më pak këtë vit, ose për vitin e ardhshëm akademik janë regjistruar dy mijë maturantë më pak sesa viti i kaluar. Sistemi parauniversitar veç pakësimit të nxënësve përballet me sfida të tjera të mëdha.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2020, katër vende kandidate potenciale nga rajoni i Ballkanit raportuan një përqindje më të lartë të personave të moshës 20-24 vjeç, të cilët kishin arritur të paktën një nivel të mesëm të lartë arsimor, krahasuar me BE-në. Ndërkaq, përqindja e popullsisë së BE-së të moshës 20-24 vjeç me të paktën një nivel arsimor të mesëm të lartë ishte 84,3 %.

Vendet e Ballkanit ishin Mali i Zi (96,1 %), Maqedonia e Veriut (93,9 %), Serbia (93,6 %) dhe Bosnja e Hercegovina (94,2 %). Një nivel dukshëm më i ulët i arritjeve arsimore të të rinjve u regjistrua në Turqi (65.6 %).  E fundit ishte Shqipëria (55.7 %). Nuk merret në konsideratë fakti se Turqia ka një popullsi rreth 30 herë më të madhe se Shqipëria, ndërsa nga ana tjetër, vendi ynë po vuan si ndoshta asnjë vend tjetër pasojat e ‘analfabetizmit funksional’. Mjafton një inspektim në Kuvend, aty ku hartohen dhe miratohen ligje dhe gjen deputetë, të cilët rezultojnë të kenë mbaruar “shkëlqyeshëm” arsimin e lartë, por pa shkelur asnjë ditë në ndonjë oborr shkolle të mesme.

Grekët e lashtë shpikën fjalën demokraci dhe e eksperimentuan atë për disa shekuj, ndërsa në ditën e sotme demokracinë, siç e dimë, e kanë përsosur kombet e tjera perëndimore, të udhëhequra nga SHBA, të cilat e kanë zhvilluar atë paralelisht me arsimin dhe shkencën.

Grekët fillimisht nuk e përmbushën kurrë premtimin egalitar të këtij këndvështrimi mbi demokracinë dhe arsimin; ata vazhduan të mbanin skllevër dhe të nënshtronin gratë. Por vetë, gjatë shumë shekujve, mitet i shtynë gradualisht grekët të përbuzin tiraninë dhe të eksperimentojnë me forma më të gjera të pjesëmarrjes politike, të ilustruara më së shumti nga demokracia e drejtpërdrejtë e athinasve, në shekullin e pestë pes.

Arsimi u mundësoi grekëve të zhvillonin institucionet e para politike demokratike në botë. Sot republikat demokratike dhe institucionet e arsimit të lartë që e mbështesin atë përballen me kërcënime ekzistenciale nga jashtë dhe brenda. Në mbarë botën, jemi dëshmitarë të refuzimit të shtetit të së drejtës, rritjes së populizmit, futjes (ose rikthimit) të dhunës në procesin politik dhe rrëmbimeve brutale të pushtetit nga demagogë dhe “njerëz të fortë”, të cilët mjafton të jenë zgjedhur qoftë edhe një herë nga populli dhe përmes ‘marifeteve’ synojnë të kontrollojnë përjetësisht ‘pushtetin e tij’, aq sa janë gati ta trashëgojnë atë, si dikur në mbretëri apo feudalizëm.

Megjithatë, duke vlerësuar arsimin, grekët arritën një lëvizje të paprecedentë historike larg tribalizmit dhe autokracisë, duke u orientuar drejt shoqërisë civile dhe pjesëmarrjes politike jo të dhunshme dhe demokratike. Duke ekspozuar tërbimin e dhunshëm si dritëshkurtër dhe vetë-shkatërrues, mësuesit grekë u prezantuan bashkëkohësve të  tyre të fiksuar pas statusit të pushtetit dhe stilit luftarak një mënyrë të re, më konstruktive të zgjidhjes së konflikteve: vetëpërmbajtjes së kombinuar me biseda produktive. Të edukuar nga literatura e tyre, grekët vlerësuan përfundimet e intelektualëve dhe arritën mijëra vite më parë të kuptojnë se dhuna nxit dhunë dhe brutaliteti ushqen brutalitet.

Për shumë shekuj, literatura e lashtë greke i inkurajoi ata dhe popujt e tjerë që në demokraci të dallonin të vërtetën nga e pavërteta. Ajo ekspozoi gënjeshtrën si një aftësi e dobishme mbijetese në një komunitet të paligjshëm të sunduar nga një kryekomandant apo tiran, por toksik në një komunitet të ligjshëm të qeverisur nga institucionet demokratike. Letërsia greke vuri në dukje potencialin tiranik të mob-okracisë (një paralajmërim që ne e injorojmë sot si rrezik, veçanërisht ndërsa zhvillojmë teknologjinë dixhitale të shekullit të 21-të).

Pas rënies së komunizmit përmes manipulimeve nga liderë të njē modeli të ngjashëm ne si shoqëri kemi ngritur një sistem pa institucione demokratike, jemi një shoqëri e paedukuar sa dhe si duhet, ndaj edhe rrjedhimisht si të tillë a kemi të bëjmë aktualisht me një ‘komunitet të paligjshëm’ demokratik?

Letërsia dhe historia antike greke na kujtojnë se pa arsim, ne bëhemi thjesht mashtrues të njëri-tjetrit, herë të padurueshëm dhe herë të pakorrigjueshëm, ashtu siç na duan për interesin e tyre demagogët dhe despotët.

Pa arsim, demokracia bëhet thjesht një “maskim i veshur” nga tirania. Ne nuk lindim totalitarë, komunistë apo fashistë. Përkundrazi, kur shkojmë të flemë çdo natë e dimë që jemi të pafajshëm dhe kur zgjohemi çdo mëngjes dukemi sikur jemi pikërisht ne fajtorët e gjendjes kaotike të vendit që kemi zgjedhur për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen tonë. Pse? Një qeveri është e ligjeve dhe jo e njerëzve, - shprehet John Adams, - ndaj ajo kërkon qytetarë të aftë për të vlerësuar shtetin e së drejtës; të aftë për t’iu dhënë përparësi institucioneve, detyrimeve dhe lirive demokratike; dhe të arsimuar mirë për të përballuar sfidat e mbrojtjes së institucioneve demokratike, në vend të mbrojtjes që kërkojnë kur kanë ndonjë hall ose ngaqë nuk qëndrojnë dot në hije “udhëheqësit legjendarë”.

Nuk kërkon shumë ‘punë kërkimore-shkencore’ për të provuar sesi janë shpërndarë gjatë këtyre viteve gradat shkencore në arsimin publik, diplomat dhe si është vlerësuar dija, apo edhe se çfarë përgjegjësie ndajnë politikanët përgjegjës për gjendjen e arsimit në vend. Nuk kërkon shumë mund për të identifikuar institucionet “e pavarura” të arsimimit të lartë në sektorin publik, të cilat drejtohen nga militantë që “gradojnë” militantë partiakë.

Prandaj, Shqipëria prej 30 vitesh i eksporton burimet e saj më të mira njerëzore, punëtore dhe intelektuale, kryesisht të rinj, vendeve me demokraci të zhvilluar, duke refuzuar të investojë për zhvillimin e arsimit, në vendin e saj. Nëse kjo do të ndodhte, në një rast të tillë do të zhvillohej demokracia dhe ajo do t’ia dorëzonte popullit pushtetin e saj, ashtu siç edhe për këtë arsye e mori emërtimin në antikitet. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH