Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celiashi, deklaroi të enjten se platformat e KQZ-së janë sulmuar kibernetikisht gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Pjesë e këtyre sulmeve ka qenë edhe Platforma Elektronike për Regjistrimin, ose siç njihet shkurt, PER, për regjistrimin e votuesve nga jashtë. Këto sulme kanë ardhur nga jashtë vendit, deklaroi Celibashi dhe kanë qenë të sofistikuara.
“Kemi komunikuar me institucionet përkatëse, si ato të sigurisë kibernetike, si ato që lidhen me ndjekjen ligjore të këtyre rasteve sa herë janë evidentuar. Nga të dhënat që kemi rezulton që një pjesë e madhe e këtyre sulmesh nuk kanë qenë diletantësh, por të sofistikuara dhe jo rastësore. Kanë qenë të krahasueshme me vende të tjera që kanë pasur situata të ngjashme, si Franca, Gjermania apo Estonia”, tha Celibashi.
Por megjithatë sipas Celibashit sulmet nuk kanë pasur asnjë implikim në procesin e zgjedhjeve.
“Ia kemi dalë që t’i kemi zmbrapsur të gjitha këto sulme, qoftë në rastin e PER-it po se po, i cili ka ofruar siguri të plotë nga çdo pikëpamje dhe përfaqëson një produkt teknik të standardit më të lartë, por edhe aplikacione të tjera të KQZ-së, përfshirë dhe faqen, edhe modulin e transmetimit të rezultateve”, tha ai.
Ndër të tjera Celibashi bëri me dije edhe disa të dhëna të rëndësishme për votën e diasporës. Ai theksoi se votuan “82.2% e zgjedhësve”.
Sipas tij, edhe pse për herë të parë dhe në një kohë të shkurtër, KQZ-ja ia doli ta realizojë procesin e votimit nga jashtë dhe se tashmë është “i pakthyeshëm”.
“Pa drojë e them, që ia kemi dalë ta realizojmë votimin nga jashtë tej problematikave apo pretendimeve të gjithkujt. Ajo që është e pakthyeshme është që votimi nga jashtë është tanimë një proces i pakthyeshëm”, tha Celibashi.