Aktualitet

Shuhet Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës, Imzot Dhimitrit (Jeta dhe kontributi i tij)

Shkruar nga Liberale
Shuhet Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës, Imzot

Metropoliti i Kishës Autoqefale të Gjirokastrës Imzot Dhimitrit, është ndarë nga jeta mbrëmjen e kaluar.

Lajmi është bërë me dije nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ku bëhet me dije se “Hirësia e Tij ishte i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Janinës, për shkak të një infeksioni respirator dhe të endokarditit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë si pasojë funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve”.

“Hirësia e Tij, Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri, u lind në Serres të Greqisë, në shtator të vitit 1940. Studimet i kreu në Fakultetin e Teologjisë të Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, ku edhe u diplomua.

Jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi i plotë ndaj Kishës. Ishte anëtar i vëllazërisë monastike të Manastirit të Hirshëm të Shën Ekaterinës në Malin Sinai (Egjipt), ku u bë murg në vitin 1974. Në këtë manastir, ai punoi në fushën e paleografisë dhe të sistematizimit të dorëshkrimeve të vjetra, të cilat përbëjnë një nga pasuritë më të njohura të këtij manastiri. Ai iu bashkua veprimtarisë misionare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që në hapat e saj të parë, pas mbërritjes së Kryepiskopit Anastas në gusht të vitit 1991. Nga vjeshta e vitit 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës.

Zgjedhja e Hirësisë së Tij në fronin e Mitropolisë së Gjirokastrës u bë më 11 nëntor 2006, nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pas Asamblesë së Përgjithshme Kleriko-Laike, e cila miratoi Statutin e Kishës. Ai u dorëzua episkop më 16 nëntor 2006, në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, ndërsa ceremonia e fronëzimit të tij u krye më 26 nëntor 2006 në Gjirokastër, në Kishën e Shenjtë të Kryeengjëjve.

Gjatë periudhës së shërbesës së tij si mitropolit, Hirësia e Tij dha një kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e Kishës Orthodhokse në Shqipërinë e Jugut. Me zell të palodhur dhe dashuri të madhe, e udhëhoqi shpirtërisht grigjën e tij për 19 vjet, duke ndërtuar kisha, zhvilluar katekizmin dhe veprimtarinë filantropike, si dhe duke forcuar jetën shpirtërore të besimtarëve. Dallohej për njohjen e thellë të Traditës Orthodhokse dhe formimin e tij biblik, duke qenë një mbështetje e sigurt për grigjën e eparkisë së tij. Për një periudhë të gjatë shërbeu me përkushtim si Zëvendëskryetar i Fondacionit Arsimor “Fryma e Dashurisë” të themeluar nga Kryepiskopi i ndjerë Anastas, duke kontribuar në mënyrë thelbësore në zhvillimin dhe përparimin e arsimit orthodhoks.

Në kishëzën e Kryepiskopatës së Shenjtë të Tiranës u krye shërbesa e përshpirtjes (trisaia) për prehjen e shpirtit të tij në tendat e të drejtëve.

Shërbesa e varrimit do të mbahet në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Gjirokastër, më 1 korrik 2025, në orën 11:00.

“E çmuar është në sytë e Zotit vdekja e besnikëve të tij” (Psalm 116:15). I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” bëhet me dije në njoftim të kishës.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH