Një ngjarje e rëndë ndodhi të enjten paradite në një shkollë fillore në lagjen Wilhelmstadt të Berlinit, në zonën Spandau. Një djalë 11-vjeçar u plagos rëndë me thikë brenda ambienteve të shkollës, rreth orës 11:30.
Mediat gjermane raportojnë se djali u dërgua menjëherë në spital, ku iu nënshtrua një operacioni urgjent. Për fat, gjendja e tij shëndetësore është aktualisht e qëndrueshme.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar një tjetër nxënës, 13 vjeç, i cili ishte në të njëjtën klasë me viktimën. Ai është ende në kërkim, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe helikopterë dhe qen nuhatës për ta gjetur.
Pas ngjarjes, rreth 20 fëmijë të tjerë nga shkolla janë trajtuar për gjendje shoku nga ekipet e ndihmës së shpejtë. Motivi i sulmit nuk dihet ende dhe policia po vazhdon hetimet.