Aktualitet

REVISTA LIBERALE: Nikolin Gurakuqi, vjeshtë e regjisorit në Opera dhe Universitet

Shkruar nga Liberale

“Ti djalë do bëhesh regjizor!”

Pirro Mani ia thoshte këto fjalë, kur ai i asistonte regjinë, në operan Cavalleria Rusticana. Kanë kaluar tridhjetë e pesë vite që atëherë, Nikolin Gurakuqi u bë një nga regjisorët më jetëgjatë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa vepra e famshme e Mascagni-it nuk u ngjit më në atë skenë, që prej asaj kohe...

Derisa drejtoresha Abigela Voshtina e thirri regjisorin për të vënë në skenë, pikërisht Cavalleria Rusticana, për sezonin e ri artistik.

Një nga veprat që Gurakuqi ka përzemër, pohon e që e kthen pas në ditët, kur sprovonte veten në regji të operas. Cavalleria vjen premierë absolute në TKOB, duke shënuar edhe vitin e 45-të të karrierës profesionale të Nikolin Gurakuqit. Përvjetor, të cilin vetëm pak ditë më parë e kremtoi me botimin e një libri mbi punën e tij, në opera.

“Është një vepër shumë sinjifikative e që i takon rrymës së Verizmit”, rrëfen regjisori pak ditë para premierës, që është edhe e para që ai ngjit në skenën e rikonstruktuar të teatrit.

Rrëfen se koncepti regjisorial është një gjetje që as anon krejt nga tradicionalja, por as skajshmërisht moderne. “E kam sjellë në formë simboliste”, pohon. Simbolika që kërkon të theksojë Gurakuqi, e që e kapërcen vendin dhe kohën ku libretistët Giovanni Targioni-Tozzetti dhe Guido Menasci, e kishin vendosur, sjell instinktet primordiale të qenies njerëzore si hakmarrja e vrasja në Ditën e Pashkës, që po aq simbolikisht kremton derdhjen e gjakut të Birit të Zotit për mëkatet e njerëzimit.

Ngjarjet nuk janë të vendosura më në një fshat të Sicilisë, por diku gjetkë, në një komunitet të vogël të paemër.

"Kjo është shfaqja ime e parë si gjysh", thotë duke qeshur, ndërsa është bekuar me një mbesë të vogël, së cilës sapo i ka kremtuar pesë mujorin e lindjes.

Ajo që e bën ta dojë edhe më shumë këtë opera, veç muzikës së jashtëzakonshme dhe dramës së xhelozisë, thotë se është portretizimi i njerëzve të thjeshtë.

Me një lloj zjarri shpjegon gërshetimin e marrëdhënieve mes protagonistëve të operas, madje këndon edhe disa vargje nga Alfio karrocieri kur fshikullon kuajt me kamxhik, ndërsa thotë se në fund të kësaj opere nuk vdes vetëm një njeri- që është Turidu, por mbytet një shoqëri e tërë.

Me të njëjtën rëndesë emocionale përshkruan edhe dy personazhet femërore- Santuzza dhe Lola- njëra mishërim i vajzës së mirë dhe tjetra portretizimi i gruas epshore dhe materialiste. Vepra duket se është aktuale edhe sot dhe u flet veçanërisht të rinjve, duke qenë se filli i dramës lidhet me dashurinë, tradhtinë e xhelozinë.

Mbi të gjithë veçon personazhin e nënë Lucia-s, fisnikërinë dhe dhimbjen e gruas që humb tragjikisht të birin.

I dalluar si regjisori që ka prurë risi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, Gurakuqi thotë se edhe në këtë shfaqje ka futur elementin e retrospektivës, që zhvillohet gjatë intemezzo-s. Elementë  të tillë, kinematografikë, ku narrativa nuk shkon lineare, por thyhet me kthime prapa në kohë, i ka sjellë edhe në vënie të tjera. Kujton se te Rigoletto e zhvilloi me lojë aktoriale  preludin e operas.

Nga Opera në Auditor

 Solistët, me të cilët punon – edhe për këtë shfaqje- janë studentët e dikurshëm. Ata ia bëjnë që ta kujtojë të gjallë edhe sot ditën e parë në auditor. Ishte viti 1995 dhe Gurakuqi qe kthyer nga një specializim në Paris. “Bëra një dëgjim të vokaleve, u dhashë një javë kohë të më sillnin nga një material, të cilin e zhvillonin në klasat e kantos dhe fill më pas ndava repertorin dhe vura në skenë operan me një akt të Rossini-t “Il Signor Bruschino”.

Thotë se me studentët e Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve, ka vendosur 16 produksione.  Pothuajse  tek çdo emër solisti apo koristi, që ka prekur skenën e TOB, - shkruan Floriana Paskali në librin e saj për Gurakuqin “Mjeshtri i risive të teatrit muzikor shqiptar”-, duke kaluar të gjithë pa përjashtim, banko provën - skenën e Akademisë,- me Akte operash dhe operetash të ndryshme. “Bravo, ia dolëm”, u brohorinte studentëve të tij, pas çdo vënie në skenë pedagogu.

Edhe vetë Gurakuqi ka qenë student i atyre auditorëve, ku studioi Kanto. “Klasën e operës në Akademinë e Arteve e drejtonte im atë, ai ishte themeluesi i saj. Ishte në program mësimor që të gjithë studentët e muzikës të të gjitha viteve, që merrnin pjesë në klasë korale, në fund të vitit të merrnin pjesë me një produksion opere, kryesisht vepër shqiptare”, ka rrëfyer regjisori në librin e zonjës Paskali. Traditën e të atit e ndoqi edhe ai, kur u bë pedagog.

Diplomën e mori në vitin 1979 dhe u emërua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Mjedisi nuk ishte i panjohur për të. Përkundrazi. Aty kishte kaluar të gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën e tij. Që në moshën pesëvjeçare i ati, regjisori i operas Luigj Gurakuqi, e merrte me vete. Aty u përkund me muzikën operistike, pa të kalonin këngëtarët e mëdhenj të operas shqiptare dhe zuri miqësi me fëmijët e tyre, që si ai shoqëronin prindërit. Nuk u shkëput nga opera as kur nisi të zbulojë e të dashurohet me muzikën moderne. Në vitet e gjimnazit pat themeluar me shokët një grup muzikor me të cilin mori pjesë në Festivalin e Zërave të Rinj në vitin 1972, para Festivalit të famshëm 11-të në RTSH.

Veprimtaria e Gurakuqit si pedagog në Universitetin e Arteve, shkruan Paskali në librin e saj, është karakterizuar nga përzgjedhja dhe gjurmimi i talenteve të rinj.

Që nga viti 1995-2004 dhe nga 2007 e në vazhdim, Nikolin Gurakuqi, është pedagog i jashtëm, si regjizor i klasës së operas në Universitetin e Arteve.

Gurakuqi iu bashkua stafit të Universitetit Europian të Tiranës me çeljen e departamentit të Arteve Liberale.

“Në UET jam me kolegët e Operas”, thotë, ndërsa përmend emra të njohur të skenës së muzikës operistike si Edith Mihali, Marjana Leka apo Shqipe Zani. “Por edhe me kolegë të tjerë të artit Dramatik dhe atij Figurativ” , shton regjisori.

Pohon se në UET ka plot talente të rinj. “Në dëgjimet që kemi bërë, me drejtuesit e departamenteve, kemi spikatur shumë talente, sidomos në fushën e këndimit”. Zbulon se kryesisht të rinjtë interesohen për muzikë moderne, muzikale, por ka edhe nga ata që vijnë për të studiuar muzikë klasike, duke treguar se kjo rrymë mbetet e pakohë.

Nga Kantoja te Regjia

Nikolin Gurakuqi e nisi karrierën në opera si këngëtar. Në vitin e parë pas diplomimit, ishte detyrim të realizojë një rol solist – ku ai interpretoi Markezin te “Traviata” dhe një koncert. Por megjithatë  disa probleme me shëndetin e bënë të mos emërohej solist, por pjesë e korit. “Edhe në kor, sektori i solistëve më thërrisnin për role dhe kam realizuar disa. Por, me të mbaruar rolin, kthehesha prapë në kor”, kujton ai. Pas Markezit erdhi roli i Komandantit tek opera “Borana”, Safeti tek “Nëna e trimave”,  Fiorelo dhe Bartolo  nga opera “Berberi i Seviljes”, Kolenin tek opera “Bohemë”, Koste Bardhin tek opera “Zgjimi” Tonio në operën “Pagaliaçi” Ferrandon tek opera “Trovatore e Mateon tek opera “Paja”.

Në këtë opera do të bashkëpunonte sërish me regjisorin Pirro Mani. Në pesë vitet si pjesë e korit dhe me role si solist në disa shfaqje, ishte bërë e dukshme se Gurakuqi kishte talent përtej këndimit. Më 1988-n, Pirro Mani e mori si asistent në “Cavalleria Rusticana” dhe një vit më vonë, veç rolit të Mateos ai punoi si asistent regjisor me Pirro Manin.

Cavalleria-në do ta vinte në skenë i vetëm në mes të viteve ’90, në një turne veror në Itali, por me regjinë e tij, në TKOB, por e ngjit vetëm tani.

“Peshkatarët e Perlave”, opera e fillesave për babë e bir

Debutimin si regjisor do ta bënte me “Peshkatarët e Perlave”, më 1990-n.  I ati, më 1961-shin do të mbronte diplomën me këtë opera të Bizet. Luigj Gurakuqi ishte student në Moskë, por në vitin e fundit ndodhi që Shqipëria prishi marrëdheniet e miqësisë me Bashkimin Sovjetik dhe atij iu desh të kthehej e t’i përfundonte studimet në vend.  I mbante mend fëmijë provat për shfaqjen dhe ndërsa vinte të tijën, i shfaqeshin imazhet nga e kaluara.

Para kësaj shfaqjeje, i inkurajuar edhe nga fjalët e regjisorit Pirro Mani, i kërkoi të atit t’i mësonte teorinë, atë të shkollës së Moskës.

“Kështu kam studiuar me të 3 vjet teori - shkollën që ai kish bërë në Moskë, ndërsa me Pirro Manin bëra praktikën dhe e ndjeva veten gati për të vënë shfaqje në skenë. Nuk mund të bëhesh regjizor në moshën 55 -vjeçare vetëm se ke kënduar role në skenë; regjia fillon në moshë të re dhe do studime”, i këtij mendimi është Gurakuqi.

“Peshkatarët e Perlave” i solli fat. Mori një bursë specializimi për në Operan Studio në Paris, ndërsa vendi ndodhej në mes të zhvillimeve dramatike të ndërrimit të sistemeve.

“Bursa ishte një vjeçare, por u nda ndërmjet meje dhe Invës, pra  gjashtë muaj unë dhe gjashtë Inva”.

Ndërsa miqtë dhe familja  e inkurajuan të qëndronte në Paris, në ato kohë të vështira por edhe vendimtare, Gurakuqi u kthye. “Nuk ishte e lehtë, edhe pse në Opera Studio ku studiova, shumë artistë merreshin me kontrata të përkohshme në Operën Bastille.

Edhe mua më ofruan një kontratë të tillë dhe më thanë - mos ik. Dhe Inva Mula po ashtu më tha - mos ik se diçka do dalë! Por unë u ktheva në Shqipëri. Nuk ndejta dot...”, e kujton atë kohë regjisori.

Rikthimi në Shqipëri solli punë intensive dhe të pandalshme për regjisorin Gurakuqi. Sot, numëron 78 shfaqje, premiera dhe rivënie në skenë ndërsa karriera e tij është një pjesë e rëndësishme edhe e historisë së institucionit të TKOB.

Kryevepra  si “La Traviata”, “Trovatore”, “Rigoletto”, “Ballo me Maska”, “Madama Butterfly”, “Aida”, ‘Flauti Magjik’ e shumë të tjera erdhën edhe me konceptet novatore të Gurakuqit, që pati si qëllim të zhdukte statizmin nga skena e ta bënte atë më të gjallë e të lëvizshme përmes lojës aktoriale.

“E para ishte opera “ Rigoleto” e vitit 1994. Unë këtu futa elementin e mizanskenës në uverturë. Zakonisht uvertura interpretohet në mënyre koncertale. Unë e bëra aksion, komentova të gjithë operën, atë ç’ka do të shikonte spektatori në zhvillim të operas, unë e komentova në uverturë”, ka rrëfyer ai në librin e Floriana Paskalit. Tek opera Tosca, një vit më vonë, eksperimentoi me koncepte si lidhja e e sallës me skenën, “...vendosa monumentalitetin, hodha mentalitetin ala Zeffirelli të cilin e kam idhull, dhe aktrimin e kënduar jo vetëm për solistët por edhe për korin.

Vendosa dinamikën në lëvizje”.

Opera e fundit që vuri në skenën e TKOB, ishte Flauti Magjik, më 2016-n. Me pakënaqësi të shprehura hapur, për drejtoreshën e asaj kohe Zana Çela, vendosi të mos shkelte më në teatër. E pranoi me kënaqësi ftesën e Voshtinës, të cilën e përgëzon edhe për punën e bërë. Gurakuqi rikthehet në skenën e teatrit të operas pas gjashtë vitesh, duke sjellë një vepër që është pjesë e historisë për institucionin, por edhe për vetë jetën artistike të regjisorit.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH