Nga Laert Miraku
Para pak kohesh në rrjetet sociale dhe në portale qarkulloj letra e një vajze italiane e cila tregonte vështirësitë për të gjetur punë në vendin e saj pasi kishte mbaruar studimet për juridik. Vajza tregonte se pas disa intervistash që ishte dhënë në një zyre avokatia, ishte përzgjedhur që të fillonte punë. Por që punëdhënësi të bindej plotësisht ajo duhej të punonte një muaj në provë me pagesë. Përgjatë muajt gjithçka kishte shkuar mirë dhe zyra e kishte përgëzuar për punën, por në fund i kishin thënë se do ta marrin në telefon dhe si pagesë për muajin i kishin dhënë vetëm 100 euro.
Vajza pyet bashkëmoshatarët e saj dhe veçanërisht prindërit italianë që thonë se fëmijët e tyre janë dembelë. Vajza krahason standardet e jetës në ditët e sotme më pagat që shumë biznese ofrojnë. Në shkrimin e saj ajo tregonte se pagat dhe kushtet e punës janë arsyet kryesore pse shumë të rinj zgjedhin të largohen nga Italia drejt vendeve më të zhvilluara. Shkrimi i vajzës italiane u komentua shumë edhe në Shqipëri.
Kur Italia, me një histori që ia njeh gjithë planeti, pjesë e G8-s( Grupi i tetëshes, është një forum ndërkombëtar i përbërë prej tetë shteteve më të industrializuara) me tradita shekullore në arsim, dhe për përsëri duan të largohen nga vendi i tyre sepse nuk ndjehen të vlerësuar. Imagjinoni pak se çfarë ndodh në Shqipëri që është një vend shërbimesh, ku politika e ka strategji kombëtare shpopullimin e vendit. Nëse ndokush nuk është dakord me fjalinë e fundit të shoh se çfarë ka ndodhur në 30 vite tranzicion.
Kryeministri i vendit pas katër vitesh në pushtet, nga premtimi i 300 mijë vendeve të cilat nuk i mbajti doli me sloganin “punë ka, por nuk ka profesionistë”. Por politika shqiptare ka mbi 30 vite që bën të pamundurën që të largojë nga vendi të gjithë profesionistët. A ka menduar ndonjëherë politika se si mund të jetojë një shqiptar/e që paguhet vetëm 26 000 lekë.
A është në dijeni qeveria shqiptare se edhe kur punëdhënësit shqiptare i kalojnë pagën minimale shqiptarëve në bankë dhe ju kërkojnë që secili prej tyre të kthej mbrapsht 5000 deri në 10000 lekë. Paga që i duhet të marrë është rreth 150 000 lekë. Llogaritë tani bëjini vetë.
Me siguri që qeveria është në dijeni. Në një dalje publike për median, kryeministri pyeste gazetarët se sa e kanë rrogën. Kryeministri u tha “më thoni pagën reale dhe jo atë që deklaroni në shtet”. Në atë rast kryeministri ishte i vetëdijshëm për evazionin fiskal, por qeveria që ai drejton nuk merrte asnjë masë ndaj mediave dhe pronarëve të medias. Kur kryeministri i shpjegon me detaje mediave të huaja se si funksionon trafiku i drogës në vendin tonë dhe nuk paska dijeni se si bosët e fasonerive, fabrikave, rojeve private iu vjedhin shqiptareve edhe pagën minimale.
Sot, më 11 korrik në Holandë festohet 103 vjetori i miratimit me ligj të 8 orëve punë në 24 ore dh e diela pushim. Kjo ishte para 103 vitesh në Holandë, sepse në këtë vend, ashtu si në vende të tjera të zhvilluara orari i punës është 6 orë në 24 dhe fundjava është pushim (e shtunë e diele). Për të mos folur për pagat dhe benefitet e tjera. Benefitet e punës 8 orar dhe me fundjavën pushim i përfitojnë vetëm ata që punojnë në shtet apo në administratën publike. Për te tjerët dihet.
Shqipëria nuk është bëre dot ende si Holanda e 100 viteve më parë. Tek ne as nuk mendohet një shtet i mirëqenies sociale që ka në qendër te politikave shtetërore individin. Në këtë aspekt jemi shumë shekuj larg vendeve të tjera. Profesionistë Shqipëria nxjerr çdo ditë, por ata largohen për ne vendet që i paguajnë dhe ju a vlerësojnë mundin dhe dihet. Strategjia për të sjellë punëtorë nga Bangladeshi u rrëzua. Derisa nuk vlerësojmë punëtorin, rrezikojmë deri aty sa të shpërbehemi si komb. /Liberale.al/