Një operacion i zhvilluar në Berat, në zbatim të një letërporosie të autoriteteve belge, ka çuar në arrestimin e një 33-vjeçari dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Berat, në bashkëpunim me SPAK-un, BKH-në dhe Prokurorinë e Beratit.
Gjatë kontrolleve të kryera në katër ambiente të ndryshme, është arrestuar në flagrancë shtetasi H. V., 33 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u sekuestruan një kartë identiteti dhe një leje drejtimi të dyshuara si të falsifikuara, një pajisje elektroshoku dhe disa fishekë për armë gjahu.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit, që po vijon me veprimet e mëtejshme hetimore. Ende nuk dihet lidhja e të arrestuarit me autoritetet belge, ndërsa pritet të sqarohen rrethanat përmes hetimeve ndërkombëtare në vijim.