-Për romanin “Marrtin Iden” të Xhek London-
Preç Zogaj
Vështirë se ka pasur ndonjë prej njerëzve të lexim-shkrimit të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, që të mos ketë lexuar romanin “Martin Iden” të shkrimtarit amerikan Xhek London. Fakti që në harkun e pesëmbëdhjetë vjetëve, nga viti 1959 deri në vitin 1975, pati tre botime në shqip, në tirazhe deri në dhjetë mijë kopje për çdo botim, dëshmon qartë se “Martin Iden” ishte një roman jashtëzakonisht tërheqës, që spikaste jo vetëm sepse nuk kishte shumë autorë dhe shumë vepra të mëdha në prozë të përkthyera nga letërsia e huaj në shqip, por parasëgjithash për nivelin e lartë artistik.
Përshtypja ime e vjetër për këtë libër ka qenë kjo: Martin Iden është një libër shumë intim, që duket sikur të përket vetëm ty; është si sekreti yt, duhet të jesh i kujdesshëm kur të flasësh për të me shokët dhe miqtë. Këtë përshtypje kishin pak a shumë edhe disa prej moshatarëve dhe kolegëve të mi letrarë. Ky raport i çuditshëm me Martin Iden, ky diskrecion për një roman që ndryshe nga “Tre shokët” apo” Lamtumirë armë “ jepej edhe në shkollë, kishte lidhje me faktin se te personazhi i Martinit, secili prej nesh dhe ndoshta shumica e lexuesve të romanit shihnin idhullin e tyre, projektonin alter-egon e tyre, por pa e arritur dot. Të gjithë donim të ishim nga pak si Martini në etjen dhe përpjekjen për të fituar kulturë, në vullnetin mbinjerëzor për t’u afirmuar si shkrimtarë, në besimin e pathyeshëm për të fituar me çmimin e punës mrekullinë e dashurisë.
Martin Inden na mundte. Ma merr mendja se i mundte të gjithë në përballjen e përjetshme të ndjekësit me modelin. Askush nuk e kishte këmbënguljen, forcën, vullnetin dhe besimin e tij. Ai ishte një stuhi e talentit që ka ardhur për t’u mpiksur si një mrekulli pune në vetminë më të thellë dhe mes vështirësish të panumërta. Ai ishte krijuar për të frymëzuar, por jo për t’u konkuruar. Lavdia nuk ishte një qëllim në vetvete për këtë djalosh të ushqyer me fuqitë e natyrës në jetën e tij të mëparshme prej marinari dhe endacaku. Lavdia ishte rruga për të fituar plotësisht dashurinë e Ruthit, ishte shpërblimi i lartë i dashurisë. Martin Iden e bëri dashurinë strumbullarin e çdo përpjekjeje dhe sakrificë në jetë. Ai u ngul me penë dhe letër në zemër të kësaj doktrine, të cilën e shërbeu me mendime të larta, me ndjenja nga më të kulluarat, me pagjumësi dhe stërmundime që nuk e thyen kurrë. Ai shihte në fund të vuajtjeve horizontin e praruar nga drita e dashurisë së tij për Ruthin, vajzën e shtresave të larta, njohja me të cilën i ndryshoi jetën, po pa happy end.
Martin Iden u mrekulluan nga bukuria dhe eleganca e Ruthit qëkurse u takuan për herë të parë në shtëpinë luksoze të familjes së saj, ku Martini ishte ftuar për drekë në shenjë mirënjohjeje ngaqë kishte mbrojtur në një sherr njërin prej dy vëllezërve të saj. Edhe Ruthi përjetoi një tërheqje të fshehtë ndaj djaloshit timid me pamje boksieri. Tërheqja e ndërsjellë sfidon hendekun klasor dhe kulturor mes tyre. Martini ka virtyte, ka dëshirën për të mësuar. Ndihet në gjithë qenien e tij krizalida e talentit. Ruthi e ndihmon të përmirësojë gjuhën, të njohë shkrimtarët, por mbi të gjitha e frymëzon për të shënjestruar një mrekulli. Martin Iden fillon të shkruajë me bindjen se do të bëhet një shkrimtar i madh i Amerikës. Nuk është e ashtuquajtura çmenduri e dashurisë që i frymëzon këtë ëndërr prej të çmenduri. Është edhe vetëdija për talentin që zotëron. Me këtë vetëdije dhe me forcën e dashurisë ai ndërton mikrobotën e shkrimtarit titan. Punon deri në pesëmbëdhjetë orë në ditë, pa dalë fare nga shtëpia; tregimet dhe novelat bëhen vandak, i nis për botim në të katër anët e Amerikës. Nuk ia botojnë, madje shpeshherë nuk denjojnë as t’i kthejnë përgjigje. Nuk thyhet. Nuk e lë talenti dhe dashuria të thyhet. Beson se redaktorët dhe botuesit do të dorëzohen një ditë, beson se talenti do ta sfidojë indiferencën e tyre ndaj të panjohurit.
Në këtë betejë të rrallë Martin Iden është në garë me kohën. Me kohën që e detyron të shesë deri edhe veshjet e trupit për të blerë zarfe e pulla poste. Dhe më e tmerrshmja, me kohën që rrezikon t’i marrë Ruthin, prindërit e së cilës, pasi e kanë toleruar deri në një pike dashurinë e gabuar të vajzës, nuk mund të lejojnë më tej që ajo t’i sakrifikohet dikujt që nuk nxjerr bukën e gojës. I kërkojnë vajzës t’i japë fund lidhjes dhe ajo, pas shumë përpëlitjesh shpirtërore, vendos t’u bindet. Ky është momenti i goditjes së nokautit që merr Martini. Nuk e ka ndaluar indiferenca mizore e redaktorëve. Por e ndalon dhe e shuan ikja e Ruthit.
Rrotulla e fatit kthehet kur papritur në gjithë vendin fillojnë të botohen prozat e tij, Amerika zbulon star-in e ri të letrave, Martin Iden; vandakët dhe sirtarët e dhomës së tij të varfër boshatisen, i kërkojnë me ngulm dhe i botojnë menjëherë veprat që ia kanë kthyer disa herë, shtëpitë më të mëdha botuese vrapojnë me çeqet e majme të paradhënies, duke i propozuar kontrata për vepra të pashkruara. Martin Iden bëhet i pasur, lan të gjitha borxhet, lumturon gjithë të varfrit që i kanë ndenjur pranë në ditët e tij të vështira.
Lavdia dhe pasuria janë shpërblimi i merituar i punës së tij titanike. I ndryshuar, i transformuar, ai qëndron tani përballë dy enigmave të mëdha të jetës së tij. Përballë Amerikës dhe përballë Ruthit. E para i refuzoi suksesin kur po luftonte për të si luan. E dyta i mohoi dashurinë kur s’kishte arritur suksesin. I kishte shkruar veprat që do ta bënin të famshëm kur u refuzua dhe u mohua kësisoj. Kishte qenë po ai që ishte. E vërteta është në krizë në këtë botë, thotë me vete. Botëkuptimi dhe botëndijimi i tij përfshihen nga një nihilizëm dhe dëshpërim i skajshëm, që do ta çojë në vetëvrasje me mbytje në oqean, në djepin gjigant që e kishte përkundur e rritur si një fëmijë të dëlirë të natyrës.
“Martin Iden” ishte dhe mbetet një roman intim edhe për këtë fund të parashikueshëm, por logjik në kontekstin e krizës së besimit ku përfshihet protagonisti. Kur e para lexuar dhe më vonë, kur qëllonte të flisja me miq për ketë libër vija re se shumë prej tyre zhyteshin në heshtje ose flisnin me fjalë të kursyera për personazhin . Sepse ai kishte vdekur. Ai që personifikonte mrekullinë e punës dhe tragjedinë e famës. Si i tillë la gjurmën e vet të pashlyeshme në botën e brezit tim, gjurmë që vazhdon t’u lerë ma merr mendja lexuesve të rinj.
Së fundi, “Martin Iden” ishte romani që solli herët shumë Amerikë në letrat shqipe dhe gjithë kjo edhe falë përkthimit mjeshtëror nga Shaban Demirajt, i cili ishte i ri kur u ul dhe përktheu këtë libër në vitin 1959./Gazeta Liberale