Aktualitet

Përmes pasqyrave të Kadare

Shkruar nga Liberale

(Refleksione mbi “Kohë për rrëfim”)

Loer Kume

I detyrohem Kadaresë për dritaren e madhe të letërsisë që më hapi me “Kush e solli Doruntinën”, herët, në bankat e gjimnazit. E më pas, me shumë vepra të tjera. Dhe ky shkrim i ngacmuar nga libri Kohë për rrëfim – është një refleksion për rëndësinë që ka shkrimtari në një shoqëri.

Lashë të kalonin disa ditë pas leximit për të përmbledhur mendimet, njohjen që mu dha mbi këtë njeri plot ambiguitete që tashmë në histori është kthyer në personazh.

Kadare është i përkëdhelur. Me një jetë midis banketit, vetmisë, dhe të mbajturit ekuilibër mbi humnera, ai është përkëdhelur nga lexuesit, admiruesit, miqtë, pushtetarët, nga gratë, dhe nga bota. Kadare ka bërë një jetë në majat e jetës. Nëpër kujtimet dhe udhëtimet mendore të nxitura nga pyetjet e Bardhylit, nëpër skutat e errëta të epokave që ky shkrimtar ka jetuar, ka pasur vetëm një fener në dorë. Talentin e tij. Kadare spikat si poet që në shkollë. Në një kohë të çoroditur të pasluftës, në një periferi si Gjirokastra, por provincë plot kulturë. Sa për kujtesë, edhe Çerciz Topulli që të rinjtë sot e mbajnë në bluza si një luftëtar lirie, Guevara shqiptar, ka qenë së pari intelektual i kohës, i eklipsuar mbase vetëm nga vellai Bajo, e nga miku i ngushtë i armëve Mihali.

Kadare në këtë provincë spikati. Por, spikati edhe më fort në Tiranë. Në Tiranë ky shkrimtar nuk ishte i biri i dikujt, nipi i dikujt, nuk ishte miku i askujt,  por vetëm një talent letrar. Fillimisht si poet, pastaj si prozator, Kadare shkëlqeu krejtësisht ndryshe, diçka krejt moderne, e freskët, e thellë, thurje e shqiptarisë komplekse me botën e jashtme.

Kadare i ri dallohet për letërsinë e tij me mënyra krejt të reja në një terren artistik të vështirë e të papërpunuar në Shqiptari, që pas bumit të viteve ’30, në vitet e pasluftës, e më pas, nën dirigjencën diktatoriale pllakosi shkretia intelektuale. Mënyrat e tij letrare janë edhe sot, shumë moderne. Përbindëshi më ka habitur me mbivendosjen kohore. Ftesë në Studio, një vepër super moderne, sa për të përmendur dy nga krijimet e shumta të freskëta edhe sot.

Pikërisht me këto mënyra shkrimi, nga ky talent letrar, ai bëri emër dhe lexuesit nisën ta adhurojnë. Autorë të rinj ta imitojnë. Vetë Hoxha e telefonon në Lidhjen e Shkrimtarëve për ta përgëzuar për poemat e tij.

Kadare në saj të aftësisë së tij për të lëvizur nëpër kufijtë e situatave dhe Dogmës, nxjerr avantazh nga sistemi i kohës, botohet jashtë, shkon në Paris si eksporti ynë më i mirë intelektual, shëtit, jeton bukur, përkthehet në gjuhë të tjera, Femra i shkruajnë letra, ai merr avantazh ndaj tyre.

Në pasqyrat e erotikes, Kadare çiltërsisht, me moskokëçarjen që i jep statusi dhe mosha tashmë, na rrëfen se shkrimtari Kadare vetëm prift nuk ka qenë. Duke qenë magneti i kulturës shqiptare të kohës, vëmendja femërore nuk paska munguar në ato vite. E në ato vite flirtohej e bëhej seks. Madje, nga sa na rrëfen në libër, përfiton edhe ndaj vajzës së një të njohuri të tij, njërit nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit të dikurshëm. Dhe pas pasqyrës së çiftit Kadare lexojmë për tolerancë. Shumë tolerancë. Dhe qejfe, shumë qejfe. Dhe pse jo? Jeta është e bukur kur ke talent, dhe zgjuarsinë për të shfrytëzuar momentet e tua. Ky duhet të jetë model për të rinjtë e sotëm, që ngadalë po kthehen në kukulla barbie në prerje serie me hekurosje të njëtrajtshme të rrudhave të korteksit.

Ka qenë fati i madh i Kadaresë, që ka jetuar dhe krijuar në kohën kur letërsia në Shqipëri ishte subjekt kryesor i interesit publik dhe dëshirave të njerëzve, ndryshe nga koha e sotme. Këtë fat e ëndërrojmë sot dhe ne, do e ëndërrojnë shkrimtarët në tërë kohën që vjen, por janë të vështira prerjet e rrethanave. Nga rrëfimi kuptojmë çfarë rëndësie kishte letërsia, dhe brenda mureve të izolimit dhe varfërisë, sa të prirur ishin shqiptarët e atëhershëm drejt kulturës, dhe sa të gjynahshëm janë sot në liri të plotë, në djerrinën e shkretë që u kanë krijuar përreth, me telenovela, libra rozë, emisione televizive llumore dhe ekrane telefonash nga ku nxjerrin kryet dhe këpucët lloje e soje politikanësh që pas disa vitesh do ti qeshë historia.

Feneri i talentit qe e çon përpara shkrimtarin, gjithashtu nxit xhelozi e krijon kundërshtarë. Pikërisht këtu është pika e lidhjes së ambiguitetit të Kadare. Nxitja e urrejtjes nga ana e urrejtësve. Nga ana tjetër e pasqyrës, kjo përkëdhelje, kjo ngjitje drejt majave, ka provokuar gjithashtu zili, urrejtje, gjuajtje me gurë si majmunët gjuajnë sendet që nuk i kuptojnë ose krijesat që kanë frikë. Kështu, na krijohet një panoramë plot me pasqyrime, e shformime iluzore të një pasurie artistike e intelektuale, dhe të perceptimeve ndaj saj.

Pse jo në fakt, pse të mos kishin zili e kundërshti, në një kohë që shqiptarët vuanin diktaturë të tmerrshme, ky njeri gëzonte privilegje që askush s’i kishte?

Por, nga pas pasqyrave të Kadaresë lind një pyetje pak më e thellë se dualizmat moraliste i mire-i keq; përse artisti nuk duhet të shfrytëzojë statusin dhe pozicionin e tij për të jetuar më mirë? Kush është problemi? Pse kërkohet prej shoqërisë shqiptare gjysmë puritane, gjysmë skandaloze, gjysmë thashethemexhie, gjysmë symbyllur, gjysmë përputhur, e gjysmë osmane Sulejmane, gjysmë feministe e gjysmë moraliste, që, artisti të vuajë, të torturohet, të kundërshtojë, të kalbet burgjeve, të mos shkëlqejë, të mos krijojë shfaqen e tij artistike? Pse kërkohet kryqi popullor mbi shpinën e artistit kur ai bart me vete gjithmonë kryqin e artit ndërkaq?

Ndaj, duke lexuar rrëfimin e Kadare përmes Bardhylit, kuptova me shumë, për kohën e diktaturës, dhe akoma më shumë, e më qartë për këmbëzën e thjeshtë të armës ndaj Kadaresë dje, ndaj Johny Depp sot, shkrepjen e armës ndaj çdo artisti, për ta dënuar dhe kryqëzuar, në atë kohë, e në këtë kohë. Duke i kërkuar llogari për mëkatet popullore, duke i vënë pas murit për moralin e vitrinës sociale. Po ç ‘quajmë moral, a dimë ta themi? A ka moral popullor?

Por, të kthehemi te Kadare.

Në 1980, Marina Abramovic dhe Ulay realizojnë një performancë që quhet Rest energy, ku të dy tendosin me peshat e trupit një hark me një shigjetë drejtuar në zemër të Marinës, dhe mbajtur nga Ulay. Edhe pse idetë janë krejt të kundërta, nuk ka skenë më ideale për të përshkruar raportin e Hoxhës me Kadarenë. Pavarësisht nga çfarë thotë Kadare, pavarësisht nga çfarë ka gjetur Bardhyli në arkiva në ditarin e Hoxhës mbi opinionet e tij për Kadare, mendimi im personal është që të dy këta entitete, në atë kohë funksiononin si alterego të njëri-tjetrit. Edhe pse Kadare e përbuzte diktatorin si çdo njeri i kulturuar në këtë vend, sepse gjithkush që nuk kishte perde në sy kuptonte injorancën dhe natyrën e pastër keqbërëse të diktatorit.

Por, kush nuk do joshej vallë nga një pushtet absolut? Kush nuk ka atë kohezionin e çuditshëm ndaj një lideri absolut, kushdo qoftë ky, pushtetit absolut që të ka në dorë jetën dhe vdekjen?

Hoxha nga ana tjetër e sheh shkrimtarin si alteregon e tij, një vete e një realiteti tjetër, të lirë, një vete gjeniale, harrakate, që nuk duhet tu bindet peshave të të qënit komandant suprem, por është i lirë të krijojë, të jetojë e gëzojë. Hoxha joshet e magjepset nga letërsia e shkrimtarit. Ndaj krijon një zakon tolerance ekstreme ndaj tij. Shkrimtari e kupton këtë, dhe luan me këtë fakt, e shijon, e përdor me saktësi kirurgjikale. Kështu lind loja e harkut të Abramovic – Ulay, një tension që Kadare e shijon, e vuan gjithashtu, e gjejmë në rrëfimin e motrës së tij, derisa i kthehet në zakon sasia e adrenalinës ndaj këtij raporti. Kështu dhe vetëm kështu, duke paguar haraçe të vogla, e duke i shlyer ato me vepra si Pallati i Ëndrrave e Përbindëshi, ne arrijmë të kemi sot e kësaj dite një opus letrar nga me uniket. Sigurisht Hoxha është gjenial në errësirën e tij, dhe kurrsesi nuk do ngjallte vëmendjen e botës së jashtme duke burgosur një shkrimtar të njohur si Kadare, ndaj sërish loja e harkut solli një rezultat të ri, një fitore të re, një shkallë të re adrenaline në regjimin më mizor e absolut në Europë. Burri i mençur diti të luajë me pushtetin për të nxjerrë përfitimet e tij e jetën e tij.

Në kohën e sotme intelektualët e telikosur u shkojnë pas drejtuesve politike të momentit me atribute çapaçulësh, për një kafshatë bukë, e po kjo kategori njerëzish ngrenë struktura morale ku të gjykojnë artistin dhe artistët mbi parime të moralit fetar.

Në optikën time, talenti i Kadare është formuar nga ambienti ku është rritur. Secili shkrimtar rritet dhe prodhon atë që e ushqen. Unë jam produkt i rrëmujës, i kaosit shqiptar e i qytetit të Durrësit, Tiranës e botës së 30 viteve të fundit, Kadare është produkt i Makbethit, thashethemnajës së qytetit të gurtë dhe, si rrëfen vetë, i Moskës, dhe  neverisë ndaj shkrimtarit të buzëqeshur, skematik, antiletrar, sovjetik, që pa të prodhohej masivisht në Moskë. Stili i tij i përngjan mjegullës, supozimeve, pëshpëritjeve, fjalëve që qarkullonin ashtu si magjishëm nga një sokak në tjetrin, nga një prag dere në tjetrën, përmes plakave, orteku i fjalës merrte përmasa titanike, vdekjeprurëse. Kështu u mbrujt drama dhe tensioni i stilit të Kadaresë. Cikli i Gjirokastrës na jep një nga letërsitë më brilante dhe nga të rrallat letërsi me humor në gjuhën shqipe. Sigurisht, do doja shumë që Kadare, dhe autorët e krijuesit shqiptarë të ishin më të hapur me letërsinë perëndimore, të dëgjonin muzikën që ndryshoi botën, të shihnin pikturat që ndryshuan mendjet, të rrihnin ide e shkëmbenin letra dhe teknika me bashkëkohësit e tyre nëpër botë. Kjo mungesë dashje pa dashje solli njëfarë ngurtësinë të temave, dhe te Kadare ne opinionin tim solli shndërrimin e shkrimtarit  në një Sofokli, autor gjysmëperëndish. Nuk di të them kush saktësisht është Eskili, por Sofokliu – Kadare do e lëshojë hijen gjerë e gjatë me kohën që ikën, në letërsinë europiane e botërore.

Kemi mundësinë të lexojmë këtë rrëfim fantastik të shkrimtarit në këtë një libër sot, dhe nuk do ta kishim nëse nuk do ishte për këmbënguljen, durimin dhe qetësinë për të komunikuar disa vjet me Kadarenë e ngopur me vemendje, dhe gazetarë, rrëmimin dhe nxjerrjen në dritë të rrëfimeve përmes pyetjeve dhe stërpyetjeve, të Alda Bardhylit. Dua të shkruaj disa fjalë mirënjohje për punën e saj, sepse njerëzit zakonisht kompleksohen nga puna e tjetrit, ose sulmojnë e gjuajnë me gurë si majmunët që përmendëm, ose nuk flasin një fjalë të mirë për shkak të detyrës drejtuese të Bardhylit, për të mos u dukur qokaxhinj e qejfbërës.

Bardhyli ruan një profil të ulët, nuk del me flamur e shpatë në kryqëzata për të prezantuar veprën e saj si bëjnë autorët e tjerë me dy paragrafë libra. Por në sajë të punës së Bardhylit si autore, sot kemi librin me rrëfime të Kadare, dosjen e zbardhur e të rrëfyer të Maks Velo, kemi përkthimin e letrave të Simone dë Beauvoir me poetin amerikan Nelson Algren, kemi Bisedë në dy Kohë me Ardian Civicin, që është një pasuri e vërtetë për studiuesit, dhe bisedat me Kim Mehmetin, një kuriozitet shumë interesant mbi një personalitet si Kim Mehmeti e mbi realitete të dopiuara si Shqipëria Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Duhen disa tipare e disa kritere të caktuara për të qenë një gazetare e studiuese e plotë, duhet ekuilibër, qetësi, gjerësi mendimi, mirëkuptim e gjithë përfshirje. Dhe mbi të gjitha, shumë dashuri për artin. Dhe këto tipare janë gjendur herët në kulturën e Bardhylit, në dukje nonchalante, por në thellësi, me shumë zemër.

Në fund, po, Kadare është një i përkëdhelur, por asgjë më shumë se dëshirat tona më të thella për përkëdhelje e llastime. E kush nuk do të donte të shkëlqente! /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH