Qasje mbi përmbledhjen me skica “Lustraxhiu”, nga Doranin Agalliu
Rei Hodo
Të gjithë, me qëllim apo ndërgjegje, herë të plotë e herë të gjysmuar, rendim me vrull, edhe maratonomaku ndonjëherë, drejt të kuptuarit të cilësdo gjë që ndodh. Tejkalime të koncepteve, ngjarje të analizuara në optika të diversifikuara, apo edhe deri tek ngjizjet e materieve të reja abstrakte apo fizike, mbushin përditshmërinë e një shoqërie që... Një shoqërie që mjegullon!
Thua, dy shqiptarë te jenë shumë? Dy shqiptarë janë shumë! Kjo devizë prej pasardhësit të Frashërllinjve, duket t’i lakohet mirë qafës së objektit referues të këtij shkrimi.
Një lustraxhi, një i ashtëquajtur profesor, përpiqen dhe ia dalin të ngrenë kanonet, zbulojnë optikat apo thjesht edhe të formësojnë mendjet e tyre të të kuptuarit të jetës që rrethon jetët respektive. Një jetë prej lustraxhiu, një jetë prej profesori, nisen nga dy vendndodhje jo të unifikuara, por jo rastësisht puthen tek një e tillë, dhe takohen tek humania. Këtë, personalisht, do doja ta nënvizoja si qëllimin dhe njëkohësisht atë që mëson së pari, nga përmbledhja me skica të autorit Doranin Agalliu.
Në veprën e tij “E pafilozofuara”, profesori dhe filozofi H. Feraj mëson se “me mbetë gjallë, duhet me dërrmue gjysmën natyrore”. Nga këtu, për t’u rikthyer tek personazhet tona, së pari e më me rëndësi, ata janë njerëz. Në kuptimin sociologjik, në të menduar, në të konceptuarin e civilizimit mbeten njerëz dhe, në ditët që po jetojmë, ky proces po humbet ngadalë, por njëtrajtëshmërisht minuta nga jeta e tij aq shumë e vështirë.
E gjithë fizikja e materializuar nga autori tek personazhi i lustraxhiut është e ngarkuar me barrën e të qenit individ i stratifikuar si “njeri i thjeshtë”, diçka mes klasës së mesme, me drejtim vertikal poshtë, pa konotacione negative. Konturohet si një personazh që rreket të zbulojë të “vërtetat e shekullit”, të një shekulli që ndoshta mund edhe të mos ketë vend për të. Përtej këtij fakti kokëfortë, një karakter si lustraxhiu, përpara natyrës së tij kërkon të zbulojë botën e të vërtetave të tij, një lloj ndërgjegjie të menjëhershme. Në libër, kësaj devize filozofike i është veshur kësula e humorit dhe akoma më tej, ironia dhe gradët e saj pasardhëse. Një zgjedhje e tillë bën që libri të shihet me tjetër sy nga ana e lexuesit, të përthithet më lehtësisht dhe të krijojë ambjentin e përditshmërisë në çdo dorë që e merr për ta lexuar.
Figura tjetër, po aq kryesore sa edhe ajo e lustraxhiut, është ngritur mbi, së pari, një status civil. Në rastin konkret, personazhin e profesorit do të doja ta konsideroja si “shegert të dijes”. Një individ mes idealizmave të frenuara nga një lloj auto-censure dhe kuptimit modern të një lumpenproletari modern. Fare mirë ai mund të ishte, ose të jetë, gjeniu i cili vepron si natyrë. Duke vepruar si i tillë, ai rrjedhimisht edhe vetë është natyrë. Këtë të fundit, e po ashtu ngritjen e dinjitetit të tij, personazhi i profesorit arrin t’i sigurojë si procese filozofike nëpërmjet zhvillimit individual të brendshëm, etapat e të cilit i gjen të pasqyruara tek përballja me një karakter si lustraxhiu.
Të dy personazhet e librit, duke i qëndruar besnik kontureve të gjithësecilit, arrijnë të bien vazhdimisht në kontakt, falë vetëdijes, me materien. Materia... realiteti, as më pak e as më shumë!
Nga ana tjetër, përdorimi i zhargonit, edhe pse nga njëra anë e afron veprën me lexuesin njëkohësisht mund të krijojë edhe distanca në disfavor po të saj. Personalisht, e shoh krejt ndryshe mënyrën apo sjelljen e ngjarjeve të tilla tek lexuesi, duke mos i qendruar besnik traditës prozaike. Kjo i krijon librit terrenin e të qenit ndryshe nga të tjerët.